'Marshi për Drejtësi' që kumboi fort edhe në Hagë

'Marshi për Drejtësi' që kumboi fort edhe në Hagë

13:38, 05/04/2023

Nga Astrit Veliqi 

E diela e fillimprillit ishte një ditë pranvere e bukur e me diell që qytetarët e shfrytëzojnë për relaks e rekreacion, megjithatë Prishtina, si kurrë më parë frymoi kuq e zi, me flamuj e pankarta në mbrojtje e solidarizim të luftës së UÇK-së.

Kryeqyteti ynë si kurrë me parë, u mbush përplot qytetarë, ku të ardhur nga çdo cep i vendit, madje edhe jashtë tij, iu bashkuan 'Marshit për Drejtësi', i organizuar nga platforma 'Liria ka emër'.

I madh e i vogël si asnjëherë me parë u derdhën në sheshet e Prishtinës, duke brohoritur e thirrur emrin e atyre që sot po gjykohen padrejtësisht në Hagë e të cilët janë ish-krerët e UÇK-së apo ish-kupola e Shtabit të Përgjithshëm, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e të tjerë.

Por për ata qysh nga e hëna, filloi beteja e madhe me drejtësinë, pasi prej më shumë se dy vjetësh po mbahen në paraburgim në Hagë.

Marshi, i cili pa mëdyshje ishte më masoviku deri tani, tregoi edhe njëherë unitetin popullor, qytetar e intelektual në vend, duke u bërë bashkë në mbrojtje të luftës së pastër çlirimtare.

Marshi, i cili u organizua në Prishtinë, mobilizoi të gjithë pa përjashtim, mesazh ky që iu dërgua botës demokratike, se Kosova zhvilloi luftë të pastër për liri dhe pavarësi.

Normalisht, marshi u bë edhe me madhështor, ngaqë atij i qëndronin në ballë familjarët e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët edhe nga emocionet e forta dhe përkrahja e madhe, kishte momente kur nuk mund t'i ndalnin edhe lotët.

Madje ky marsh, pati simbolikën e tij të fuqishme, se u përcoll edhe në Hagë nga ata për të cilët edhe ishte organizuar. Një marsh i tillë, do të organizohet edhe në SHBA, sikurse edhe në vendin ku po mbahen ish-krerët e UÇK-së, në Hagë.

E kur jemi 24 vite pas luftës, në këtë kohë, u përkujtuan tash së fundi edhe shumë masakra të tmerrshme të kryera nga forcat fashiste serbe,që drejtësia ndërkombëtare ta kuptojë njëherë e mirë se kush ishte viktima e kush ishte agresori në Kosovë.

Prandaj për krerët e UÇK-së do të fillojë edhe një betejë, e cila përkundër të parës që ishte për liri, beteja e dytë e tyre do të jetë për drejtësi dhe në mbrojtje të luftës çlirimtare, e cila si emërues të përbashkët i ka tri shkronjat e arta dhe të pavdekshme, UÇK.

Marshi solidarizues i cili u mbajt këtë të diel, ishte dëshmia më e fortë se lufta jonë për liri edhe pse e zhvilluar deri në përmasa epike, ishte e drejtë dhe kishte vetëm një qëllim siç ishte çlirimi dhe liria e plotë e vendit.

E kjo "liri e cila ka emër" është e larë me gjakun a tyre që u flijuan, duke u bërë, pararojë e pavdekshme e historisë tonë të lavdishme. Zëri, i cilit kumboi nga Prishtina drejt Hagës ishte më i fortë  se kurrë dhe sinonim i gjithë këtij mobilizimi ishte kauza jonë për drejtësi, ku me dosje të fabrikuara serbo-ruse po synohet të vihet në pikëpyetje edhe vetë lufta dhe historia jonë.

Por... jo!

Historia jonë nuk mund të rishkruhet nga askush, sepse 'Liria ka emër " dhe "UÇK na bashkon” sa herë do të thirret apo edhe do të preket, emri i saj i shenjtë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco