VOA: Në Hagë, procesi gjyqësor kundër ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

VOA: Në Hagë, procesi gjyqësor kundër ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

11:35, 03/04/2023

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarë të lartë politik që dolën sot para trupit gjykues në Gjykatën e Posaçme me seli në Hagë, thanë se ndjehen të pafajshëm për dhjetë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Nga Zëri i Amerikës

Zoti Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Prokuroria e Posaçme në Hagë thotë se krimet e pretenduara janë kryer në periudhën nga muaji mars i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 dhe kanë ndodhur në disa zonë anembanë Kosovës, si dhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut.

Sipas prokurorisë krimet dyshohet se janë kryer nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve që nuk ishin të përfshitë në luftime. Prokuroria pretendon se viktimat, rreth 100 syresh janë serbë, shqiptarë dhe romë të Kosovës.

Procesi që filloi sot pritet të jetë i gjatë. Prokuroria e Posaçme tha se synon të përmbyllë pjesën e saj deri më 1 prill të vitit 2025 dhe gjatë kësaj kohe do të paraqesë mbi 300 dëshmitarë.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999. Lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Mijëra veta dolën në rrugët e Prishtinës të dielën për të mbështetur të akuzuarit, ndërsa sot në qendër të Hagës janë mbledhur shumë shqiptarë nga diaspora por edhe nga Kosova.

Deri më tani Gjykata e Posaçme dënoi me 26 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa. Aktualisht është në proces e sipër gjyqi kundër ish pjesëtarit të kësaj ushtrie Pjetër Shala.

Gjyqi i sotëm është rasti i profilit më të lartë në këtë gjykatë. Katër të akuzuarit ishin drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët pas luftës u shndërruan në politikanë të rëndësishëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco