'Do të vijë dielli patjetër', qeveria s'dorëzohet pasi Kushtetuesja rrëzoi Ligjin për Këshillin Prokurorial

'Do të vijë dielli patjetër', qeveria s'dorëzohet pasi Kushtetuesja rrëzoi Ligjin për Këshillin Prokurorial

09:38, 28/03/2023 Nga Sh.A

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si anti-kushtuetues Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin kërkuar vlerësim të kushtetueshmërisë, shkruan Syri.net Kosova

Më 1 korrik të vitit të kaluar, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në dy çështje të ndara, iu drejtuan Kushtetueses, duke e kërkuar opinionin e saj, ngase, sipas tyre, ky ligj ishte kundërkushtetues.

I pari që e dërgoi Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, ishte shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Në po të njëjtën ditë, edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e dorëzoi të njëjtin ligj në Kushtetuese, duke e quajtur kundër frymës së kushtetutës së vendit.

Me ndryshimet në Ligjin për KPK-në, ndërrohej mënyra e funksionimit të Këshillit Prokurorial por edhe përbërja e këtij këshilli.

Sipas vendimit të Kushtetueses, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial. Duke numëruar konstatimet për mospërputhshmëri me Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka vendosur që “të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”.

“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesat e pranueshme dhe të konstatojë që: (ii) pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe neni 8, përkatësisht neni 10/A i Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; (iii) paragrafi 2/a i nenit 13 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 5 i nenit 16 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; (v) neni 18, përkatësisht 23/A i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (vi) paragrafi 3 i nenit 11 dhe neni 20 i Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në njoftimin e publikuar për media gjatë së premtes, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese sqaron se në rendin kushtetues të Kosovës, sistemi prokurorial është plotësisht i pavarur.

“Thënë këtë, Aktgjykimi sqaron që në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, sistemi prokurorial është plotësisht i pavarur. Më saktësisht, Këshilli Prokurorial është pjesë përbërëse e Kapitullit VII të Kushtetutës lidhur me Sistemin e Drejtësisë dhe bashkë me Këshillin Gjyqësor, kanë kompetencën e administrimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, respektivisht dhe pavarësisht ngjashmërive e dallimeve përkatëse, në ushtrimin e funksioneve të tyre, Kushtetuta u akordon të dyjave “pavarësi të plotë kushtetuese”. Aktgjykimi sqaron që kjo pavarësi e plotë kushtetuese, bazuar në nenin 4 të Kushtetutës lidhur me ndarjen dhe balancimin e pushteteve, i nënshtrohet edhe balancimit e ndërveprimit me pushtetet tjera, gjithnjë në përputhje me vlerat demokratike siç janë të përcaktuara në nenin 7 të Kushtetutës”, thuhet në aktgjykimin e publikuar.

Haxhiu: Kushtetuesja e goditi reformën në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas shpalljes si të pavlefshëm të ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) nga Gjykata Kushtetuese ka thënë se është një goditje për reformën në drejtësi.

Haxhiu ka thënë se problemi me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese është se në njërën anë konfirmon koorporatiizmin e Këshillit Prokurorial, por thotë në anën tjetër se nuk mund t’u ndërpritet mandati.

“Prej korrikut të vitit 2022 ky projektligj është në Gjykatën Kushtetuese, pra gjashtë muaj që të analizojë këtë. Me këtë, përveç që i është dhënë goditje reformës në drejtësi e kam thënë që mund të na vonojnë edhe zvarrisin, është mbrojtje e koorporatizmit”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se përbërja aktuale e Këshillit Prokurorial të Kosovës është e padrejtë.

“Duke e konsideruar si një përbërje të padrejtë, si një mos balancim, për faktin se siç është vlerësuar edhe nga Komisioni i Venecias, kemi konsideruar që përbërja prej 10 prokurorëve në një organ i cili ka përgjegjësinë për menaxhimin e sistemit prokurorial, që kanë lidhje të ngushta me njëri tjetrin, pak a shumë nëse e shihni edhe kur janë zgjedhë anëtarët ka pasur reagime të fuqishme nga partnerët tanë…, edhe për mënyrën se si janë bërë pazaret për t’u zgjedhur anëtarët pastaj edhe vetë strategjia për sundimin e ligjit që ka zgjatë diku katër vite ka sugjeruar që të ulet numri. Duke qenë që anëtarët e KPK nuk kanë mandat kushtetues, zgjidhen sipas ligjit, kemi vlerësuar që duhet të bëhen ndryshimet në ligj”, është shprehur ajo.

KPK mirëpret vendimin e Kushtetueses, i quan të pamatura dhe joserioze deklarimet e Albulena Haxhiut

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi Ligjin për KPK-në të sponsorizuar nga Qeveria dhe miratuar nga Parlamenti.

Me këtë rast, KPK i ka quajtur të pamatura dhe joserioze deklarimet e sotme të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se Gjykata Kushtetuese nuk mbrojti interesin e përgjithshëm por interesin e disa individëve të KPK-së.

“Edhe sot u dëgjuan deklarime të tilla nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën për medie, të cilat përkojnë me një pamaturi dhe joseriozitet aq të theksuar saqë shkojnë deri në kontestim të akteve që dalin nga institucioni më i lartë kushtetues, duke pohuar se “më e rëndësishmja për të është interesi individual i disa anëtarëve të KPK-së” dhe përtej saj, një zyrtare e lartë e Qeverisë, për çudi, nuk pajtohet me vendimin e një institucioni më të lartë, siç është Gjykata Kushtetuese”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Reagimi i plotë i Këshillit Prokurorial të Kosovës

 Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), deklaron se publikimi i Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Ligjin e Këshillit Prokurorial, të cilin e ka shpallur kundërkushtetues dhe e ka rrëzuar përfundimisht, vërteton plotësisht qëndrimet dhe shqetësimet e shprehura publikisht të përfaqësuesve të sistemit prokurorial, në mënyrë që ky ligj të mos miratohej si i tillë.

KPK-ja, deklaron se edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është keqpërdorur sërish fjala e lirë, keqpërdorim ky, i cili është dhe mbetet kryekëput jashtë të drejtës demokratike dhe aq më tepër kur ai vjen nga zyrtarët më të lartë të shtetit. Edhe sot u dëgjuan deklarime të tilla nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën për medie, të cilat përkojnë me një pamaturi dhe joseriozitet aq të theksuar saqë shkojnë deri në kontestim të akteve që dalin nga institucioni më i lartë kushtetues, duke pohuar se “më e rëndësishmja për të është interesi individual i disa anëtarëve të KPK-së” dhe përtej saj, një zyrtare e lartë e Qeverisë, për çudi, nuk pajtohet me vendimin e një institucioni më të lartë, siç është Gjykata Kushtetuese.

Paraprakisht, për hir të transparencës publike, KPK-ja, ka shprehur disa herë para opinionit qëndrimin e vet me anë të deklaratave dhe reagimeve të njëpasnjëshme për një mbarëvajtje jo të rregullt të procesit të hartimit të Projektligjit të KPK-së dhe për futjen e elementeve tendencioze dhe jofunksionale, si dhe për nxitimin marramendës të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë për të proceduar e miratuar ketë Projektligj, pa e konsultuar draftin final me aktorët e këtij procesi dhe pa i pritur komentet shtesë të Komisionit të Venecias.

Gjithashtu, KPK-ja, ka theksuar sistematikisht defektet e shprehura të Ekzekutivit lidhur me mosmarrjen parasysh të propozimeve të dala nga Strategjia për Sundimin e Ligjit dhe propozimeve të përfaqësuesve të sistemit prokurorial dhe akterëve të tjerë të sistemit të drejtësisë ose jashtë tij, gjë që realisht përbënte hapur një tendencë për të cenuar pavarësinë e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, si institucione të pavarura dhe kushtetuese.

Në këtë kontekst, rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës hoqi të gjitha dilemat ekzistuese lidhur me ketë çështje, së pari, duke marrë vendim që të rrëzohet komplet Ligji për Këshillin Prokurorial dhe, së dyti, duke parandaluar cenimin e pavarësisë së KPK-së dhe ligjësimin e ndikimeve politike në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.

KPK-ja pohon se Gjykata Kushtetuese të Republikës së Kosovës, me nxjerrjen e këtij vendimi të drejtë, afirmon njëherë e mirë të drejtën kushtetuese për mosinterferim politik, i cili cenon thelbësisht pavarësinë e prokurorëve të shtetit dhe përgjithësisht pavarësinë e sistemit prokurorial.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, deklaron se mbetet i përkushtuar për të mbështetur proceset e përgjithshme reformuese në sistemin prokurorial dhe do të bëjë përpjekje edhe në të ardhmen që së bashku me të gjithë mekanizmat shtetërorë të vendit, mbështetësit dhe partnerët e çmuar ndërkombëtarë, të bashkëveprojë në çdolloj nisme legjislative dhe nisma të tjera, që kanë për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial i Kosovës të bëjë punën e vet të pavarur, profesionale, transparente, duke mos u ekspozuar para asnjë lloj ndërhyrjeje apo presioni nga palët e ndryshme.

Deklaratat interesante të zv/ministrit Sallahu

Rrëzimi i Ligjit të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga Gjykata Kushtetuese po vazhdon të jetë temë e diskutimeve ende në Kosovë.

Deklarata interesante për këtë temë ka bërë edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka folur në Interaktiv të KTV-së për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit të Këshillit Prokuorial të Kosovës.

Sallahut nuk i ka pëlqyer që Kushtetusja është bazuar vetën në Kushtetutë, pasi sipas tij, ata kanë pasur edhe dy raporte të Komisionit të Venecias, duke lënë të kuptohet se më i rëndësishëm është raporti sesa Kushtetuta e vendit.

Ai ka thënë se diçka tjetër ka thënë Komisioni i Venecias e diçka tjetër, Gjykata Kushtetuese.

“Gjykata i ka gjetur disa shkelje të caktuara, sidomos disa nga vlerat e përcaktuara në nenin 7, po ashtu ndarjen e pushteteve dhe po disa nen të tjera lidhur me organizimin, funksionimin dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, të cilat në disa pjesë nuk janë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, ka theksuar Sallahu.

A po rrezikohet reforma në drejtësi pas dështimit të këtij ligji?

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se këtë vit do të dërgohet pësëri Ligji i ri për KPK-në, pasi tani janë zhgënjyer, por janë të motivuar edhe më shumë.

“Në bazë të zhgënjimit është rritur edhe motivi i kabinietit për të punuar edhe më shumë për adresimin e një Projkeligji i cili duhet patjetër t’i luftojë disa dukuri negative që ekzistojnë brenda KPK-së”, ka thënë ai.

Kështu, sipas tij, qeveria nuk heq dorë nga zbatimi i premtimit të saj për të vazhduar me reformën në drejtësi.

Ndërkaq, për reagimet e opozitës dhe njohësit e fushës të cilët po kritikojnë pushtetin që po komentojnë vendimet e Kushtetueses, Sallahu tha se mund t’i komentojnë vendimet, duke shtuar se nuk kanë pritur që Kushtetuesja do ta rrëzojë Ligjin.

Më tej, ai ka thënë se Ligji ka pasur përkrahjen më të madhe dhe se vetëm opozita kanë qenë kundër, ku ka treguar pse dhe qëllimin e opozitës.

“Dhimbja është diku tjetër, dhimbja është mbrojtja, mbrojtja e disa njerëzve që kanë dërguar në sistemin e drejtësisë, nuk dua të merrem me emra, por disa njerëz në sistemin e drejtësisë e kanë një farë zinxhiri dhe ata nuk duna që ai të shkëputet”, ka thënë ai, duke shtuar se qëllimi i opozitës është për të mbrojtur disa “njerëz brenda”.

“Do të vjen dielli patjetër sepse jemi këtu për atë punë.” – ka thënë ai, duke lënë të kuptohen se nuk do të ndalen.

Ndryshe, deputetët e Kosovës e patën miratuar edhe në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës me datë 23 qershor të këtij viti. 61 deputetë ishin pjesëmarrës në votim, prej tyre 60 kanë votuar “për” dhe një deputet ka abstenuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco