DASH: Themelimi i Asociacionit është kritik për të ardhmen e Kosovës

DASH: Themelimi i Asociacionit është kritik për të ardhmen e Kosovës

22:57, 28/02/2023

Departamenti Amerikan i Shtetit deklaron se i ka mirëpritur bisedimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën në Bruksel.

Megjithatë, DASH thotë se mbetet një punë e vështirë përpara.

Në një komunikatë për media të martën, Departamenti i Shtetit ka thënë se themelimi i Asociacioanit mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë. Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, thuhet në komunikatën e Departamentit.

Gjatë takimit të djeshëm në Bruksel mes Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, sipas zyrtarëve evropianë, palët u pajtuan që s’ka nevojë për diskutime të mëtejme për Planin evropian. Megjithatë, s’pati ndonjë marrëveshje. Kurti e Vuçiqi e akuzuan njëri-tjetrin se s’ishin të gatshëm të nënshkruanin.

Takimi i ardhshëm do të mbahet në 18 mars, në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco