Një memorial për Elfete dhe Mentor Humollin, motër e vëlla të vrarë nga forcat serbe

Një memorial për Elfete dhe Mentor Humollin, motër e vëlla të vrarë nga forcat serbe

10:35, 01/02/2023

Nga Albin Kurti.

Më 1 shkurt 1990, plot 33 vite më parë, duke demonstruar për lirinë e Kosovës në fshatin Lupç i Poshtëm, Elfete Humolli ra dëshmore e lirisë, e vrarë nga policia serbe. Atë ditë, ajo ishte e shoqëruar me vëllain e saj Mentorin, që 9 vite më pas do të binte dëshmor po sikur motra e tij.

Nga ky përvjetor, Elfete dhe Mentor Humolli do të mund të nderohen edhe te kompleksi memorial i ngritur për kujtim të tyre në Lupç të Poshtëm. Aty nderuam sot bashkë me Nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevcin, para se të vizitonim familjen Humolli, për të kujtuar Elfeten dhe Mentorin edhe pranë nënës Sevdije, nënës së këtyre dy dëshmorëve.

Atë ditë, më 1 shkurt 1990, fushat pranë rrugës magjistrale Prishtinë – Podujevë në Lupç të Poshtëm, ishin mbuluar nga gazi lotsjellës i hedhur nga policia e Serbisë, kundër mijëra demonstruesve shqiptarë nga fshatrat e kësaj ane të Llapit, që po thërrisnin për demokraci, përballë pushtetit të Serbisë që po i përndiqte shqiptarët në Kosovë duke i diskriminuar etnikisht dhe duke i shtypur egër politikisht. Ishte dita e dytë që banorët e këtyre anëve po demonstronin për të drejta politike, për liri dhe kundër shtypjes nga regjimi serb. Një ditë më parë, teksa po shpërndaheshin në mbrëmje, shumë demonstrues kishin bërë homazhe te varri i Afrim Zhitisë në fshatin Lluga.

Në demonstratën e 1 shkurtit 1990, policia serbe shtiu me breshëri në drejtim të demonstruesve duke goditur katër prej tyre: Elfete Humolli vdiq nga plagët në vend, kurse Eset Kaçiu, Ismet Krasniqi dhe Avni Retkoceri mbetën të plagosur.

E lindur më 15 shkurt 1973, Elfete Humolli u vra dy javë para se të bëhej 17 vjeçe. Atë ditë, Elfetja ishte agjërueshëm dhe para frymës së fundit, kishte pyetur për vëllanë e saj 13 vjeçar: “Ku është Mentori, a ka shpëtuar?”

Siç shihet edhe në fotografitë e asaj kohe, mbi 10 mijë njerëz nga gjithë Kosova morën pjesë në varrimin e Elfete Humollit, ndërsa në muajt në vazhdim, dhjetëra mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare vizituan familjen Humolli në Lupç të Poshtëm për të shprehur ngushëllime dhe mbështetje.

Atë kohë, shumë media botërore realizuan reportazhe duke e bërë rastin e Elfete Humollit të njohur edhe ndërkombëtarisht në publikun botëror. Do të duheshin edhe 9 vite për t'u përgjigjur ndryshe në pyetjen e fundit të vajzës trime, dëshmores Elfete Hymolli. Pas datës 21 mars 1999, vëllai i saj Mentori nuk do të ishte më veçse si dëshmor i lirisë, i vrarë gjatë luftimeve në Koshare.

Në rrugën e gjatë të popullit të Kosovës për t'u çliruar nga Serbia pushtuese, të ardhur nga dy rrugë të ndryshme, liria si destinacion i bashkoi motër dhe vëlla: Elfeten demonstruese për çlirim dhe Mentorin luftëtar të UÇK-së, që ranë bashkëdëshmorë për lirinë e Kosovës. Lavdi Elfete Humollit! Lavdi Mentor Humollit sikur edhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco