FOTO/ Përmbytje edhe në Kosovë, Policia vihet në gatishmëri

FOTO/ Përmbytje edhe në Kosovë, Policia vihet në gatishmëri

09:06, 20/01/2023

Policia e Kosovës është vënë në gatishmëri pas përmbytjeve që kanë pushtuar zona të ndryshme në vend,

Në njoftimin e fundit lëshuar dje, thuhej se Kosovën e ka përfshirë një mot me reshje të vazhdueshme shiu. Si pasojë e reshjeve që kanë vazhduar, ka pasur vërshime në disa pjesë të vendit, shembje dheu e gurësh në rrugë dhe shtëpi të përfshira nga uji.

Policia e Kosovës në ato zona ku ka potencial për vërshime, ka shtuar patrullimet dhe verifikuar situatën, duke u angazhuar së bashku me AME-në, Zjarrfikësit e Njësitet Emergjente komunale etj., si dhe janë duke koordinuar veprimet për reagime në ato zona ku ka nevojë.

Njësitet policore, pos koordinimit me institucionet relevante po angazhohen edhe në shtimin e masave të sigurisë në trafik dhe riorientim të qarkullimit në ato rrugë që janë bllokuar ose kanë vështirësi në qarkullim.

Në pjesën veriore të vendit, disa nga pjesët ku ka vërshime më shumë nga uji janë: Lagja e Boshnjakëve ku uji ka depërtuar në disa shtëpi, magjistralja Mitrovicë-Bërnjak ka shembje të dheut, po ashtu rruga në fshatin Zubq, hyrja për në fshatin Varage ka shembje dheu, ndërsa rruga Qaber- Zubin Potok mbetet e bllokuar për shkak të shembjeve të gurëve dhe dheut.

Në rrugët ku ka rrëshqitje dheu janë angazhuar edhe kompani për pastrimin dhe largimin e pengesave nga rruga.

Si pasojë e të reshurave ka pasur nivel të shtuar të ujit edhe në rajone tjera, si në dy rrugë të Gjakovës, në Ujëmir të Klinës, në rajonin e Podujevës, në Istog dhe në rajonin e Mitrovicës Jugu, Skenderaj, etj.

Policia e Kosovës tha se mbetet e përkushtuar që t'u dalë në ndihmë qytetarëve pa dallim dhe njëkohësisht fton qytetarët që të jenë vigjilent dhe të lajmërojnë të gjitha rastet ku ka situata emergjente nga vërshimet si dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco