Zhvillimet në veri, mbyllet për qarkullim rruga drejt Jarinjes

Zhvillimet në veri, mbyllet për qarkullim rruga drejt Jarinjes

17:24, 10/12/2022

Policia e Kosovës ka njoftuar për mbylljen e rrugës që dërgon për në pikën e kalimit kufitar në Jarinje.

Kjo pas bllokadave të vendosura nga serbët, pasi Policia e Kosovës e arrestoi ish-policin serb Dejan Pantiq. I njëjti dyshohet për sulm mbi zyrtarët e KQZ-së dhe Policisë.

Policia ka kërkuar nga qytetarët që ta ruajnë qetësinë.

NJOFTIMI:

Si rezultat i hetimeve intensive dhe angazhimeve policore, sot në Pikën Kufitare Jarinje është ndaluar personi i dyshuar D.P. (M/S/K), njëherit ish pjesëtar i PK-së, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.

Personi i dyshuar ka qenë i përfshirë në organizimin e sulmeve në zyrat e KKZ-së dhe sulmeve ndaj personave zyrtarë të KQZ-së dhe Policisë së Kosovës.

Me qëllim të pengimit të veprimeve policore dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personit të dyshuar, persona/grupe të caktuara në orët e pasdites kanë filluar të grumbullohen dhe të vendosin barrikada me automjete dhe mjete të rënda.

Bllokimi i rrugëve ka ndodhur kryesisht në disa rrugë, përfshirë edhe rrugë nacionale të komunave të Leposaviçit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave.

Si masë paraprake të sigurisë, përderisa rrugët janë të bllokuara në drejtim të Pikës Kufitare Jarinje, Policia e Kosovës të njëjtën e ka mbyllur përkohësisht për qarkullim, andaj qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.

Si çdo herë Policia e Kosovës, fton qytetarët që të mos bien pre e thirrjeve apo provokimeve të mundshme nga persona apo grupe kriminale, por të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës e cila do të vazhdojë të angazhohet për ofrim të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, si dhe ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco