Kosovë, KQZ-ja vazhdon përgatitjet për zgjedhjet lokale në veri

Kosovë, KQZ-ja vazhdon përgatitjet për zgjedhjet lokale në veri

12:56, 10/12/2022

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vazhduar të shtunën përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës, mes thirrjeve nga ndërkombëtarët për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve.

Diskutimet për shtyrjen e zgjedhjeve vijnë pas disa incidenteve në veri të Kosovës, që kishin për cak edhe zyrat e komisioneve komunale zgjedhore, në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Ato incidente janë vlerësuar si “sulme terroriste” nga autoritetet, teksa është rritur prania policore në këtë pjesë të Kosovë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve, për shkak të incidenteve në veri.

Por, në mbledhjen e KQZ-së u theksua se nuk është në kompetencën e këtij organi të rekomandojë shtyrjen e zgjedhjeve dhe për këtë arsye u tha se po vazhdohet me përgatitjet për to.

“Mirë që u qartësua edhe një herë për zyrtarët e lartë komunal, në këtë rast të KQZ-së, që kanë shprehur se vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre dhe kanë gatishmërinë për të shkuar në secilën komunë për të administruar këtë proces zgjedhor”, tha Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Gjatë mbledhjes u vendos, me 11 vota për dhe asnjë kundër, që të shtyhet afati për nominimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve (KVV) deri më 13 dhjetor. Sipas KZQ-së, kjo shtyrje nuk ndikon në proces.

“Sigurisht që sulmet e këtyre bandave kriminale në veri kanë ndikuar në hezitimin e njerëzve që të aplikojnë për pozitat dhe ne duhet t’i përshtatemi rrethanave të reja”, tha Alim Rama, anëtar i KQZ-së i emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa sa i përket raportit të dërguar tek presidentja Vjosa Osmani, KQZ-ja tha se vetëm e ka informuar atë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por nuk është dhënë rekomandime.

Si pjesë e përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, u vendos që të certifikohen 14 kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje për Kuvendin Komunal në Komunën e Leposaviqit dhe të përditësohen broshurat për zgjedhje.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – janë shpallur pas dorëheqjes së kryetarëve, nga radhët e Listës Serbe.

Dorëheqjet e zyrtarëve të kësaj partie erdhën në fillim të nëntorit si shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale, të lëshuara nga Serbia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco