Varroset shtatzëna e vrarë para dy ditësh bashkë me foshnjen e palindur

Varroset shtatzëna e vrarë para dy ditësh bashkë me foshnjen e palindur

14:05, 02/12/2022

Kosovë - Qindra qytetarë kanë marrë pjesë në varrimin e gruas 35-vjeçare shtatzënë,  e cila u vra para dy ditësh para Klinikës së Gjinekologjisë.

Ajo është varrosur në varrezat e fshatit Lugaxhi të Lipjanit, teksa pjesë e kësaj ceremonie mortore ka qenë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Shtatzëna dyshohet se është qëlluar nga bashkëshorti i saj, para Klinikës së Gjinekologjisë, me të cilin ishte në proces të ndarjes. Deri më tani policia ende nuk ka arritur ta arrestojë të dyshuarin, njofton RTK..

Një hap për parandalimin e dhunës

Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, sot është shpallur  Kurrikula për Programet e Trajtimit të Dhunës.

Kurrikula ka për qëllim të vendosë bazën për themelimin dhe ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në linjë me Konventën e Këshillit të Evropës, parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave siç është Konventa e Stambollit.

 Me miratimin e kësaj konvente, Ministria e Drejtësisë do të vendosë kornizat e zhvillimit, implementimit dhe ofrimit të programeve për kryerësit e dhunës në familje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se dhuna në familje është një fenomen alarmant në shoqërinë tonë, ku viktimat e dhunës në shumicën e rasteve janë vajzat dhe gratë.

“ Po lansojmë një dokument të rëndësishëm, Kurrikulën për trajnimin e profesionistëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje. Dhuna në familje është një fenomen alarmant dhe tejet i përhapur në shoqërinë tonë dhe kjo ndikuar nga normat patriarkale, ndarja e roleve gjinore dhe pabarazia në pothuajse çdo sferë të shoqërisë sonë”, tha ministrja.

Ajo tha se viktimat e dhunës në familje janë në shumicën dërmuese të rasteve vajzat dhe gratë.

“Përveç grave vuajnë edhe fëmijët. Ata edhe duke qenë viktima të dhunës, por edhe dëshmitarë, duke përjetuar ngjarje traumatike, gjasat janë që këta fëmijë të kopjojnë sjelljet abuzive dhe në të ardhmen të veprojnë njëjtë sikurse prindërit e tyre. Pra, fatkeqësisht pasojat e dhunës në familje nuk janë vetëm të kësaj gjenerate, por është një cikël që përcillet edhe tek gjeneratat e ardhshme”, tha Haxhiu.

Sipas saj përgjigja ndaj rasteve të dhunës në familje kërkon qasje dhe bashkëveprim shumë sektorial, të përcjella me një varg shërbimesh të reagimit të sigurisë dhe shërbimeve sociale.

“Këto shërbime duhet pasur gjithmonë në qendër sigurinë dhe mirëqenien e viktimës. Në anën tjetër rastet e dhunës në familje duhet të trajtohen me seriozitetin më të lartë nga institucionet e drejtësisë.Kryerësit e këtij krimi duhet të ndiqen penalisht, të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre si dhe të marrin dënime meritore”, tha ajo.

Haxhiu ka pyetur se edhe sa vajza dhe gra duhet të vriten në mënyrë që të zgjohet sistemi i drejtësisë.

Ajo po ashtu ka kritikuar udhëheqësit e Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor të Kosovës që nuk ishin të pranishëm as në këtë ngjarje.

“Për shkak të mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë, vajzat dhe gratë në Kosovë po vriten. Edhe sa vajza dhe gra duhet të vriten në mënyrë që të këndellet sistemi i drejtësisë, që kriminelët të mos lëshohen në procedurë të rregullt, që gjykatat të mos shqiptojnë dënime nën minimumin që parasheh Kodi dhe Rendi i Republikës së Kosovës.Fakti që as sot në këtë organizim të rëndësishëm nuk i kemi përfaqësuesit nga sistemi i drejtësisë flet shumë për ndërgjegjen e tyre”, nënvizoi Haxhiu.

Ndërsa Shefi i Zyrës i së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power tha se Kurrikula është një  nga dokumentet thelbësore dhe themel i sigurt se Kosova po shkon  një hap përpara në parandalimin e dhunës.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco