Policia e Kosovës, akoma pa një prijës

Policia e Kosovës, akoma pa një prijës

11:21, 04/11/2022

Janë bërë një muaj e gjysmë prej që është mbyllur konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe ky institucion vazhdon të udhëhiqet me ushtrues detyre.

Kryeministrit Albin Kurti ende nuk i ka shkuar emri i rekomanduar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ky i fundit sipas ligjit duhet të rekomandojë në një nga mbledhjet e qeverisë emrin e drejtorit ndërsa kryeministri më pas i jep mandatin për pesë vjet me mundësi vazhdimi.

Mësohet se Komisioni i formuar për këtë proces ka shqyrtuar aplikacionet e të gjithë kandidatëve që kanë aplikuar për këtë pozitë.

Sipas konkursit, Drejtori i Përgjithshëm i raporton dhe i përgjigjet drejtpërdrejt Ministrit të Punëve të Brendshme për administrimin dhe menaxhimin e Policisë së Kosovës.

Konkursi ishte i brendshëm pasi që kriter për këtë pozitë është grada policore kolonel, nënkolonel ose major, së paku pesë vjet.

Secili kandidat për këtë pozitë, duhet t’i nënshtrohet verifikimit të sigurisë sipas ligjit të aplikueshëm.

Ndryshe rreth dy muaj më parë, kreu i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dha dorëheqje nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Ai tha se po largohet nga kjo pozitë për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.

Kryeministri e liroi atë nga detyra dhe menjëherë e caktoi zëvendësuesin e tij, Fehmi Hoti. Ky i fundit vazhdon të jetë Ushtrues Detyre derisa të emërohet drejtori i përgjithshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco