Hetohet vdekja e veteranit britanik që mbeti me trauma pas shërbimit në Kosovë

Hetohet vdekja e veteranit britanik që mbeti me trauma pas shërbimit në Kosovë

15:43, 01/10/2022

Autoritetet britanike do të nisin në këtë fillim të tetorit hetimet për rrethanat e vdekjes që një ushtari veteran, i cili vuante nga kujtimet e tmerrshme nga lufta në Kosovë, dhe që u gjet I vdekur në një pyll tre muaj pasi kishte humbur mbështetjen e tij për trajtim të çrregullimit me stres post-traumatik (PTSD).

Alan Forcer, që vdiq në maj të vtiti 2020, iu bashkua ushtrisë në moshën 16 vjeçare, në shërbim fillimisht në Irlandën e Veriut e më më pas edhe në Kosovë, më 1999.

Ai shërbeu pesë muaj dhe pastaj u kthye në shtëpi për ‘pushim dhe rikuperim’ dhe duhej trajtuar nga pasojat mentale nga përvoja në vendin e dalë nga lufta.

Forcer, u cilësua si jo i aftë nga ana mjekësore për t’u rikthyer të përfundojë pjesën e dytë të shërbimit të tij, dhe më vonë iu bashkua kalorësisë derisa u lirua nga detyra në vitin 2000.

Në vitin 2017, ai kontaktoi organizatën ‘Combat Stress” për të kërkuar ndihmë për shëndetin e tij mendor dhe u diagnostifikua me PTSD, shkruan Daily Mail.

Mandej, ai u referua në Shërbimin e Shëndetit Mendor të Veteranëve të NHS në vitin 2019 përmes TILS (Shërbimi i Tranzicionit, Ndërhyrjes dhe Ndërlidhjes) pas një përkeqësimi të shëndetit të tij mendor – por referimi u refuzua pasi ai po merrte kujdes dhe trajtim organizata “Combat Stress”.

Por, në shkurt të vitit 2020, kjo organizatë e lajmëroi se nuk mund ta përkrahin më shkaku i buxhetit dhe ndërrimit të shërbimeve.

Ai u referua përsëri në TILS, por një vlerësim arriti në përfundimin se ai nuk kishte nevojë për mbështetje as për menaxhimin e zemërimit të tij dhe as për PTSD.

Në muajin mars të vitit 2020, i gjithë vendi hyri në karantinë shkaku i fillimit të pandemisë me Covid-19 dhe u mbyllën edhe qendrat e fitnesit ku ai mund të menaxhonte gjendjen postraumatike.

Forcer, më 20 maj të njëjtit vit, nuk u kthye në shtëpi pasi kishte shkuar për peshkim dhe u raportua i zhdukur në policinë e Cleveland nga ish-gruaja e tij, Claire Lilly. Të nesërmen ai u gjet i varur në pyll.

Hetimi për vdekjen e veteranit Forcer do të shqyrtojë largimin e tij nga shërbimet e “Combat Stress” dhe referimet e Shërbimit të Veteranëve të NHS-së.

Gemma Vine, avokate e specializuar e hetimeve tha se familja e Alan dëshiron që hetimi i tij të rrisë ndërgjegjësimin për një sërë çështjesh, duke përfshirë disponueshmërinë e qasjes në mbështetjen e shëndetit mendor për veteranët e forcave të armatosura që pësojnë trauma gjatë shërbimit.

“Ne duam të sigurojmë që faktorët e ndryshëm që luajnë rol kur një veteran merr jetën e vet,  të merren parasysh plotësisht dhe që ky informacion të futet në studimin e qeverisë. Pa këtë informacion, nuk do të ketë prova të mjaftueshme për të identifikuar tendencat dhe nevojat për të ndihmuar në parandalimin e vdekjeve në të ardhmen,” citohet Vine.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco