Albin Kurti: Kosova e ka Asociacionin e Komunave dhe i del mjaft

Albin Kurti: Kosova e ka Asociacionin e Komunave dhe i del mjaft

14:45, 01/06/2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se Kosova e ka asociacionin e Komunave dhe se ky asociacion po i mjafton.

“Kosova e ka asociacionin e Komunave dhe më besoni që mua si kryeministër mjaft po më del ky asociacion”, tha Kurti kur është pyetur nga gazetarët rreth asaj që Qeveria e Kosovës e ka një plan për asociacionin, njofton RTK.

Megjithatë ai ka thënë se nuk është në dijeni për një plan të tillë të Qeverisë që ai e drejton. “Në anën tjetër unë nuk jam në dijeni si kryeministër për një plan të tillë”, tha Kurti.

“Me sa di, qeveria e PAN -it kishte punuar një draft, por nuk e kam shumë parasysh atë. Mos e sillni asociacionin në qendër të marrëveshjes. Në qendër është njohja reciproke, jo asociacioni”, tha Kurti.

“Nëse Cramon ka folur për kompromis do të duhej të përgjigjej ajo. Krerët e shtetit nuk dinë. Njohje reciproke, veç njohje. Një Serbi që na njeh e njohim edhe ne. Unë nuk them që në marrëveshje mes Kosovës e Serbisë nuk do të ketë asgjë tjetër përveç njohjes, por njohja është në qendër, jo kompromisi në qendër”, tha Kurti.

Ndërkaq i pyetur për takimin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, Kurti tha se nuk ka marrë asnjë ftesë nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.

“Unë nuk kam marrë ftesë nga Borell, kur ta kem një ftesë të tillë pa dyshim që do ta trajtoj me përkushtimin më të madh. Mund ta ketë menduar Borell, por në postën e kryeministrisë nuk ka ardhur një ftesë e tillë”, tha Kurti.

Ndërkaq rreth (mos) marrëveshjes për targat, Kurti tha se principi është i qartë, reciprociteti.

Sa i përket energjisë në veri, Kurti u shpreh se është e domosdoshme që të kemi një marrëveshje. “Ne jemi treguar konstruktiv dhe jemi fare pranë arritjes së marrëveshjes por edhe një gjë të jemi të qartë nuk mund të vazhdojmë pafundësisht me subvencionim”, tha Kurti.

Ai tha se nuk mund të vazhdojmë kësisoj edhe një dimër tjetër. “Por jemi duke paguar shumë shtrenjtë për sovranitetin tonë në tërë territorin e Republikës”, tha Kurti.

Ai po ashtu ka folur edhe për vizitën që kishte në SHBA.

“Në vizitën që kisha në SHBA është një vizitë pas 8 vitesh. Unë kam shkuar për dy gjëra për Kosovën. Për sigurinë dhe investimet për Kosovën. Takimet i zhvilloj varësisht qëllimeve. Takim më të rëndësishëm në shtetet e Bashkuara sesa me këshilltarin për siguri kombëtare nuk mund të ketë”, tha Kurti.

Themelohet Komisioni për memorialin e fëmijëve të vrarë gjatë luftës

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin Ministror për Memorialin për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë deklaroi se në këtë ditë “përkujtojmë fëmijët që u vranë dhe u masakruan për shkak të luftës”.

“Në këtë ditë propozoj të themelohet Komisioni Ministror me qëllim të hartimit dhe përgatitjes së projektit ‘Memoriali i fëmijëve të vrarë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë’”, tha Kurti, duke bërë të ditur se këtë komision do të udhëhiqet nga vet ai.

Mes tjerash, anëtarë të këtij komisioni do të jenë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati si dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Qeveria e Kosovës po ashtu në këtë mbledhje ka ndarë 50 mijë euro ndihmë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kryeministri Kurti ka thënë se kjo ishte një kërkesë e Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

“Me qëllim të përkrahjes së kauzës politike të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe në bazë të kërkesës së parashtruar propozohet të ndahet mjetet në vlerë prej 50 mijë euro në mbështetje të aktiviteteve lobuese të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesve shqiptarë atje. Mjetet propozohen të ndahen nga mjetet e buxhetuara te Zyra e Kryeministrit në programin “Përkrahje për Luginën e Preshevës”, tha Kurti.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të jetë në vazhdimësi në mbështetje të bashkëkombësve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Në këtë mbledhje Qeveria e Kosovës ka emëruar sot Bordin e ri Mbikëqyrës të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A.

Të emëruarit në bord, sipas vendimit të miratuar sot nga Qeveria e Kosovës, janë: Teuta Ukshini-Aliu, kryesuese dhe Albana Berisha, Fadil Berisha dhe Saxhide Mustafa, anëtarë.

Mandati i tyre zgjat tre vjet, tha kryeministri Albin Kurti derisa propozoi vendimin për emërimin e bordit.

Në mbledhjen e sotme të ekzekutivit, është caktuar edhe përbërja e bordit të ri të Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A..

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se qeveria që ai udhëheq ka ndarë mbi 6 milionë euro për përfituesit e skemave sociale në vend.

Me këtë rast keyministri Kurti tha se kjo kategori, ndonëse është goditur nga rritja e çmimeve, problemi i tyre nuk zgjidhet duke e rrënuar sistemin pensional të vendit.

“Andaj, kemi vendosur që atyre t’ua dyfishojmë ndihmat e ofruara nga buxheti aktual për dy muaj rresht dhe për këtë kemi ndarë mbi 6 milionë euro, pasi që të njëjtët përftime i kemi rritur për 30% për periudhë të pacaktuar”, është shprehur Kurti.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco