Europianët dhe moskrahasimi me Ukrainën i Kosovës, që s'i dhanë asnjë cent dhe i mbarti armët me gomar Historiani, Prof. Dr. Hakif Bajrami, Kosovë

Europianët dhe moskrahasimi me Ukrainën i Kosovës, që s'i dhanë asnjë cent dhe i mbarti armët me gomar

10:23, 01/06/2022

Nga Prof. Dr. Hakif Bajrami, Kosovë

Europianë të nderuar, është tragjedi që na i keni copëtuar trojet tona copa-copa nëpër kongrese e konferenca. Por, si duket do të jetë edhe më tragjedi që jeni kah na gënjeni për vizat dhe shumëçka tjetër me aq elegancë, sa që më duket se nga kjo telenovelë e gënjeshtrave, më në fund shqiptarët e Kosovës e kanë një dobi të shekullit. E ajo dobi është se i kanë mësuar rrenat tuaja dhe më nuk ju besojnë.

Po ka fatkeqësi edhe më të mëdha përtej kësaj: nëse e rrejmë vetveten siç po veprojnë disa individë të kompleksuar duke përhapur të pavërteta, krejt me qëllim “le të flitet për mua”.

I tillë ishte këto ditë një takim për një person pro nazist shqiptar. E kush foli, më ulët se poshtë ka rënë katundi do të duhet. Po, për këtë një ditë opinioni do të kuptojë me dokumente gjermane në detaje.

E rrena të tilla nuk mbetën vetëm rrena, por thellojnë mosbesimin ndaj nesh, sidomos mosbesimi do të vijë nga ata që ishin viktima, me të cilët lidhëm miqësi kur ishte shumë vështirë.

Janë nja 40 vjet që e pata lexuar një fabul të Ezopit famëlartë. E mbaj në mend një skenë që e përshkruan shkrimtari i famshëm i anekdotave se: nëna e kishte lindur fëmijën të verbër. Një ditë, nëna dhe fëmija do të llafosen. Kundërshtia në mes fëmijës dhe nënës do të shkojë deri aty saqë nëna i drejtohet fëmijës në një gjendje të hidhëruar me këto fjalë:  ”Nuk është tragjedi që të kam lindur qorr (të verbër), por është tragjedi që po rren!”

Kuptojeni këtë realitet, lexues të nderuar dhe pyeteni vetën se deri kur do të na rrejnë këta demokratë evropianë sidomos për vizat “e famshme”, duke menduar se jemi të verbër, duke mos ditur se nja një mijë vjet së paku para tyre kemi hequr dorë nga besimi pagan.

E këta evropianët duke na trajtuar si “popull i verbër”:

 1. Na rrejnë për viza.

 2. Na rrejnë për pranim në Këshillin e Evropës e na vënë jashtë agjendës për vitin 2023.

3. Na rrejnë për demarkacionin.

 4. Na rrejnë për veriun e Kosovës.

5. Na rrejnë për “Mini Shengenin”.

 6. Na rrejnë për Gjykatën Speciale se “do të hetohen e gjykohen individët e në realitet po hetohet dhe dënohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që është bima më sublime, bima më e shenjtë shqiptare, që shumë plagë i ka mbyllur nga e kaluara, nga tragjeditë tona të kurdisura një pas njëje, për dy shekuj, 1877-1999.

Madje, këto ditë Kristofer Hill, ambasador i SHBA në Beograd, na i preu “teshat e reja”, duke na udhëzuar se BE do ta drejtojë e zgjidhë çështjen e dialogut Kosovë –Serbi!

Mendon ky diplomat me “nam”, se nuk i dimë lidhjet e tij me Beogradin; mendon ky përfaqësues i Amerikës së shenjtë për ne se nuk i dimë “opsionet” e tij nga vitet 1998/1999 për Kosovën.

Mendon ky diplomat se nuk i dimë kohërat kur ky ishte korrespodent i SHBA në Beograd; mendon ky Kris Hilli, që nuk e dimë se Krisi e din serbishtën më mirë se “Vuk Karagjiqi e Dobrica Qosiqi” si shok i tij dhe shumë miq në Beograd.

Madje mendon ky ende se nuk e dimë se së pari shkonte nga Shkupi në Beograd. Atje i merrte instruksionet dhe pastaj vinte në Prishtinë, për t’u takuar së pari me Veton Surroin dhe Blerim Shalën e pastaj me Ibrahim Rugovën dhe disa satelit minor rreth tij.

Krejt në fund vinte për t’u takuar me Adem Demaçin, natyrisht për të na e diktuar draftin e tij se “Kosova ka mundësi nëse pajtohet Beogradi që ta fitojë një autonomi substanciale, për të cilën janë pajtuar edhe përfaqësuesit shqiptarë në Kosovë. (I numëronte me emra, që nuk është zakon në diplomaci, por….) Madje këtë opsion, na thoshte e ka nxjerrë si “mik juaj” se përdryshe, Millosheviçi ka ushtri dhe polici dhe ka mundësi të diktojë.

Baca Adem Dema vetëm e shikonte. Dhe në takimin e parafundit, Baca na u drejtua:

“E din ky njeri që ne po e kuptojmë se po luan majtap me ne. Madje ka ndie se çka i ka ndodh Dinsbirit dhe taktika e tij është më e shkolluar dhe po na sugjeron autonomi substanciale.

Ne i kemi rrokur armët për çlirim dhe ia kemi treguar botës, çmimin. Por, këta po mendojnë se UÇK e ka me rrenë, sikurse me ata që po bisedon.

Por ne do ta durojmë këtë diplomat për shkak të respektit, deri në ekstrem, sepse të paktën nuk po na thotë se “UÇK është terroriste”, siç po i thonë edhe këta tanët shumëkujt dhe këtu, sikur jemi të mbështetur për muri.

E di ky diplomat se LDK, jo vetëm në Kosovë, por edhe nëpër klubet e veta nëpër diasporë ka reaguar që “nuk guxohet të demostrohet duke e përkrahë epopenë çlirimtare të Jasharëve në Prekaz më 5-7 mars 1998”.

Këtu jemi ende, me tesha të vjetra, me vese të vjetra dhe prova të mykura te disa bajraktarëve politikë që vijnë nga arsenali i kongreseve dhe konferencave “paqësore”, sikurse më 1878, 1913, 1919, 1946, 1992.

Po, po mirë më kujtohet kur vinte Krisi (Hilli ) nga Shkupi dhe drejt e së pari në Beograd. Prej andej na sillte opsionin se “Asociacioni i komunave serbe dhe Asociacioni i komunave shqiptare, duhet të funksionojnë në Kosovën me autonomi substanciale si dy forca politike paralele, sikurse u gjymtua Bosnja Hercegovina me dy entitete, madje duke avancuar një Republikë serbe, që nuk ka ekzistuar kurrë. E kjo ka ndodhur me të vetmin qëllim që të paralizohet kombi boshnjak, që është i religjionit islam.

Po ne shqiptarët, çfarë faji kemi? Duhet të bëhemi se nuk po e dimë asgjë. Megjithë këtë, disa faje që po i bëjmë përmes mjekroshave të importuar, fama frigën, thot populli.

Megjithatë, dikush frikën edhe vet e trillon sa për të na mbajtur në majë të thikës, sa për të na e shkatërruar shpresën.
Të kthehemi paksa prapa ku zë vend pasiviteti ynë total në politikë

Po, po më 24 maj 1992 u mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Kosovë, prej të cilave zgjedhje doli një rrenë, drejtuar vetvetit. Parlamenti i “famshëm” nuk u tubua kurrë, nuk prodhoi as edhe një rregullore për pastrimin e bërllogut nëpër qytete, as edhe një rregullore se duhet mbjellë toka , se politika nuk hahet.

Po, po shkruhet se “kemi pasur pushtet paralel e kemi pasur President historik Ibrahim Rugovën”.

E po shumë mirë. Atëherë le të dihet, se edhe përgjegjësia për tragjedinë e Kosovës 1989 - 1999 është paralelel me atë të okupatorit.

E pse mos ta kuptojnë gjeneratat që sot i kanë 30 vjet, se LDK (Kryesia e saj) ka vepruar tërë kohën publikisht, nja 200 metra larg zyrave të UDB-së serbiane.

Madje, nga ajo barakë është ndier se “ në Kosovë ka element të frusturuar” dhe që një ditë do të kërkohet prej atyre elementëve të çarmatosen (qershor 1998) dhe të demobilizohen (shtator 1998), dhe më në fund më 19 nëntor 1998 edhe të hetohen, si okupatori.

Përgjegjësi e pushtetit paralel i thonë kësaj me gramatikën ambivalente në stilin “jus poetica”, ku fjalia ka një kryefjalë dhe një kallëzues, por nuk ka lidhësa, po ka kundrina që mund të konvertohen në fundrrina. Prandaj, ata dhe këta patën shkuar shumë larg.

Ja fakti:

“Duke u mbështetë në nenet 25 alineja 1 dhe nenin 27 alinaje 4 të Statutit të LDK-ës,duke pasur para sysh gjendjen e rëndë në Kosovë dhe krimeve të kryera nga forcat serbe, vrajsjeve enigmatike dhe kercënimeve të aktivistëve të LDK, në bazë të kompetencave të tij, Kryetari i LDK mori këtë

VENDIM

Për caktimin e një komisoni për hulumtimin e krimeve të luftës

1.Eqrem Kryeziu (Kryetar) 2. Agim Krasniqi, 3.Firmë e nënshkruar e palexuar, 4.Fatmir Rexhepi, 5.Firmë e nëshkruar e palexuar!, 6.Hajzer Krasniqi, 7.Faruk Spahiu, 8.Ramë Maraj dhe 9. Edi Shukriu

Ky komison obligohet të krijojë në të gjitha degët e LDK, nënkomisionet përkatëse. Koordinimi i punëve bëhet me Kryetarin e Komisionit Eqrem Kryeziun.

Zbatimi i këtij vendimi fillon menjëherë.

Prishtinë 19. 11. 1998

Kryetarë i LDK , Dr Ibrahim Rugova

Histori delikate, por kur i ke argumente është si një thyesë matematikore me tri të panjohura  e që janë: Liria sigurohet me premtime boshe - çlirimi sigurohet me pozita të fallit, varësisht ku janë të sistemuar yjet dhe -  pushteti paralel mbahet në sajë të egërsisë së okupatorit.

Shtrohet pyetja: Ky komsion ka raportuar ndonjëherë para Kuvendit fiktiv të 24 majit 1992, që kurrë nuk mbajti asnjë seancë? Por, ai Kuvend fiktiv, pa asnjë ndërprerje i mori pagat shumë të majme për kohën.

Së dyti, ai raport nuk është vonë, nëse ka pasur raport, duhet të botohet, tash në rrethana kur askujt nuk i kërcënohet askush.

Dhe së treti, mos ai raport ka ngjashmëri nga ai që është sot në Hagë e me dyshimet e të cilit po hetohen dhe dënohen ata që me armë dhe me vargonj gjaku na sollën lirinë?

Sa u takon beneficioneve ato kanë qenë evidente, por faji bie mbi deputetët e të gjitha legjislaturave edhe pas çlirimit, të cilët bënë turrë për ta shitur e stërshitur pasurinë e Kosovës, për ta shitur pasurinë atyre që kishin grumbulluar para e dikush nuk kishte as bukë me ngrënë dhe duhej punuar punë krahu për të mbetur gjallë.

Madje, dikush e kapitalizoi robërinë dhe fëmijët e vet arriti t`i shkollojë edhe jashtë vendit, sepse në Kosovë për ta nuk kishte nivel.

Pra, pse mos të mësohet se ka pasuri mundësi të shkollohen në Kosovë vetëm ata që ishin me origjinë nga plebsi, nga masa së cilës demokracia ia solli obligimet e reja, por jo edhe të drejta të merituara, nga pushteti paralel.

Për fund një lutje për mos krahasim të çështjes së Kosovës me çështjen e Ukrainës. Sepse, sot Ukrainës së dërmuar nga fashizmi rus, po i jepet ndihmë financiare, po i jepet ndihmë në armatim, po i jepet shpresë se do të pranohet në BE e në NATO dhe kjo do të ndodhë.

Por neve që nuk na jepte askush qoftë edhe një cent, neve që mbartnim armatim klasik me gomar dhe në krahë, na sanksioninin pa mëshirë. Madje, atë sasi armatimi, nëse hetohej se po mbartnim, ka pasur raste që është konfiskuar në tërësi.

Madje, dëmet e luftës po thuhet se Rusia do t`i paguajë sepse Ukraina është anëtare e OKB. Ndërsa Kosova me që nuk është anëtare e OKB, nuk ka gjasa që Serbia t`i paguaj reperacionet.

Në këtë drejtim, nuk ka rëndësi se në Ukrainë deri tash janë vrarë afro 4800 civilë, kurse në Kosovë janë vrarë e masakruar 13 000 civilë, prej tyre 1350 fëmijë.

Dallimet pra janë të mëdha, por një fakt duhet shënuar se rusët nuk po bartin kufoma, ndërsa serbët kanë bartë kufoma deri në Beograd për të humbur gjurmë.

Në këtë drejtim edhe disa shkroalgji po defilojnë nëpër televizione dhe po flasin, pale mos do ta plasojmë ndonjë rrenë me sukses dhe për një kohë do të flitet për ta nëpër oda e kafene. Të kompleksuar, por dinakë janë këta të “Tanjugut” me lista të hapura.

Një enigmë shumë delikate na e ka zgjidhur “historiani” me biografi të Xhafer Devës, duke theksuar se më 1981 e paska paraparë shkatërrimin e Jugosllavisë.

Ky ligjërim kësi soji vjen nga shkolla e LDK, që provon ngjarjet historike t`i nxjerrë si fantazma, ashtu si e kanë skalitur kudo biografinë e Ibrahim Rugovës.

Ky lloj i shkrimit fantazmologjik vjen jo nga respekti, as nga dashuria, as nga përkushtimi kombëtar, por vjen e ngrihët në majë të sanës për interes.

E në historinë e mirëfilltë, mësohet se si disa personalitete provojnë dhe ia arrijnë qëllimit, që nga intelektuali mesatar, ta nxjerrin politikanin “brilant”, sepse është në llagerin e përfitimeve kulmore, në stilin e premtimeve të Europës për Kosovën dhe në aromën e tregimit të Ezopit, kudo dhe kurdo për ta rrejtur një popull shumë të vuajtur dhe të nëpërkëmbur me shekuj.

Çka është mjaft. Fundi duhet t`i dihet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco