Shëndetësia e Kosovës sensibilizon popullatën për linë e majmunëve: Nuk kemi ende raste, ja shenjat

Shëndetësia e Kosovës sensibilizon popullatën për linë e majmunëve: Nuk kemi ende raste, ja shenjat

14:40, 25/05/2022

Prishtinë - "Rreziku i importimit të infeksionit Lija e majmunëve është një realitet, por lajm të mirë përbën fakti se të dhënat e deritashme tregojnë se ky virus nuk ka as për afërmi shpejtësi të përhapjes si të Covid-19. Prandaj, vend për panik nuk ka, por vigjilenca nuk do të na mungojë". - Kështu tha sot zëvendësministrja e Shëndetësisë Dr. Dafina Bunjaku, në një konferencë për media, bashkë me drejtorin e IKShPK-së, profesorin Naser Ramadani, për të ndarë me publikun informatat e përditësuara në lidhje me epideminë e lisë së majmunëve, infeksion tashmë i shfaqur në disa vende të botës, por jo edhe në Kosovë.

Ajo tha se Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, me strukturat e veta, po monitoron në vazhdimësi situatën, duke vlerësuar e analizuar të gjithë informacionin në dispozicion, duke vlerësuar rrezikun për popullatën në vend e duke përgatitur rekomandime për profesionistët shëndetësorë.

“Mësimet që i kemi të freskëta nga Covid-19, na mësojnë së infeksionet mund të përhapen shpejtë prej një vendi në vend tjetër, e vendi jonë ka qarkullim me vendet ku tashmë është shfaqur kjo sëmundje”.

Bunjaku tha se “jemi duke i studiuar masat të cilat po i marrin shtetet ku është shfaqur ky infeksion, si izolimi individual i rasteve të prekura dhe gjurmimi i kontakteve të tyre. Po e përsëris edhe një herë, të dhënat nga institucionet më relevante botërore tregojnë se përhapja e kësaj sëmundjeje është e ulët dhe, tani për tani, nuk ka raportim për përhapje me ajër, por kryesisht me kontakt direkt të afërt.

Në vendin tonë deri më sot nuk është regjistruar asnjë rast me këtë sëmundje. Në IKShPK, tashmë kanë filluar përgatitjet, për porositë e testeve diagnostikuese për këtë sëmundje”.

Ajo tha se Ministria e Shëndetësisë bashkë me IKShPK është në gatishmëri dhe monitoron nga afër zhvillimet në rajon dhe më gjerë dhe qëndron në kontakt të vazhdueshëm me Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Me thirrjen për kujdes, Bunjaku theksoi se në bazë të dhënave epidemiologjike të deritanishme, rreziku për popullatën e përgjithshme është i ulët, pasi sëmundja zakonisht është e lehtë dhe vet-kufizuese, me përhapje relativisht të vogël.

Qytetarët këshillohen që për çdo ndryshim në lëkurë ethe, dhimbje muskujsh, lodhje të paraqiteni sa më parë pranë mjekut familjar. Dhe të kujdesen që gjësendet personale deri në ekzaminim t'i mbajnë larg nga familjarët, të afërmit e miqtë. Gjithashtu të ndjekin udhëzimet e mjekëve në rast të skuqjes apo ndryshimeve të pazakonshme të lëkurës.

Drejtori i IKSHPK-së. prof. Naser Ramadani tha se duke pasur parasysh se kjo sëmundje e ka djepin në Afrikë, dalja e sëmundjes në kontinentet tjera paraqet brengë dhe njëherësh sfidë për përcjelljen e sëmundjes në vendin tonë, duke shtuar se ekipet e epidemiologëve janë në gatishmëri të plotë po përcjellin ecurinë e sëmundjes dhe shfaqjen eventuale të ndonjë rasti të dyshimtë.

“IKSHPK ka përpiluar dokumentin e parë, me rekomandime dhe masa për institucionet shëndetësore sa i përket sëmundjes së lisë së majmunëve, i cili është shpërndarë të gjitha institucioneve shëndetësore në vend, dhe do të përditësohet me të dhënat e reja”.

Sa i përket furnizimit me vaksina për një sëmundje të tillë, prof. Ramadani tha se vaksina ende nuk është e disponueshme për distribuim dhe ekziston në botë vetëm vaksina kundër Variola Vera që mbron edhe kundër lisë se majmunëve, kurse një agjent antiviral i zhvilluar për trajtimin e lisë është licencuar.

INFORMACION SHTESË MBI SËMUNDJEN

Lija e majmunëve shkaktohet nga virusi i lisë së majmunëve, anëtar i gjinisë Orthopoxvirus në familjen Poxviridae;

Lija e majmunëve është sëmundje zoonotike virale që shfaqet kryesisht në zonat tropikale të pyjeve të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore dhe herë pas here eksportohet në rajone të tjera;

Periudha e inkubacionit të lisë së majmunit është zakonisht nga 6 deri në 13 ditë, por mund të variojë nga 5 deri në 21 ditë.

Lija e majmunëve zakonisht shfaqet klinikisht me ethe, skuqje dhe ënjtje të nyjave limfatike dhe mund të çojë në sërë komplikimesh mjekësore;

Lija e majmunëve është zakonisht sëmundje me simptoma të kufizuara që zgjasin nga 2 deri në 4 javë. Mund të ndodhin raste të rënda. Kohët e fundit, raporti i fatalitetit të rasteve ka qenë rreth 3-6%;

Lija e majmunit transmetohet te njerëzit nëpërmjet kontaktit të ngushtë me person ose kafshë të infektuar, ose me material të kontaminuar me virusin;

Virusi i lisë së majmunit transmetohet nga një person te tjetri nëpërmjet kontaktit të ngushtë me lezione, lëngje trupore, pika të frymëmarrjes dhe materiale të kontaminuara si shtrati;

Paraqitja klinike e lisë së majmunëve i ngjan asaj të lisë, një infeksion i lidhur me ortopoksvirusin i cili u shpall i çrrënjosur në mbarë botën në vitin 1980. Lija e majmunëve është më pak ngjitëse se lija dhe shkakton sëmundje më pak të rënda;

Parandalimi

Rritja e ndërgjegjësimit për faktorët e rrezikut dhe edukimi i njerëzve për masat që mund të marrin për të reduktuar ekspozimin ndaj virusit është strategjia kryesore e parandalimit të lisë së majmunëve. Tani po zhvillohen studime shkencore për të vlerësuar fizibilitetin dhe përshtatshmërinë e vaksinimit për parandalimin dhe kontrollin e lisë së majmunëve. Disa vende kanë, ose po zhvillojnë, politika për të ofruar vaksinë për personat që mund të jenë në rrezik si personeli laboratorik, ekipet e reagimit të shpejtë dhe punonjësit shëndetësorë.

Reduktimi i rrezikut të transmetimit njeri në njeri

Mbikëqyrja dhe identifikimi i shpejtë i rasteve të reja është kritik për kontrollin e shpërthimit. Gjatë shpërthimeve të lisë së majmunëve, kontakti i ngushtë me personat e infektuar është faktori më i rëndësishëm i rrezikut për infeksionin me virusin e lisë së majmunëve. Punonjësit shëndetësorë dhe anëtarët e familjes janë në një rrezik më të madh të infeksionit. Punonjësit shëndetësorë që kujdesen për pacientët me infeksion të dyshuar ose të konfirmuar të virusit të lisë së majmunit, ose që trajtojnë mostra prej tyre, duhet të zbatojnë masat paraprake standarde të kontrollit të infeksionit. Nëse është e mundur, duhet te zgjidhen personat e vaksinuar më parë kundër lisë, për t'u kujdesur për pacientin.

Mostrat e marra nga njerëzit dhe kafshët me infeksion të dyshuar të virusit të lisë së majmunit duhet të trajtohen nga staf i trajnuar që punon në laboratorë të pajisur siç duhet.

Reduktimi i rrezikut të transmetimit nga kafshët

Duhet të shmanget kontakti i pambrojtur me kafshët e egra, veçanërisht ato që janë të sëmura ose të ngordhura, duke përfshirë mishin, gjakun dhe pjesët e tjera të tyre. Për më tepër, të gjitha ushqimet që përmbajnë mish kafshësh ose pjesë të tyre duhet të gatuhen plotësisht përpara se të konsumohen.

Parandalimi i lisë së majmunëve përmes kufizimeve në tregtinë e kafshëve

Disa vende kanë vendosur rregulla që kufizojnë importin e brejtësve dhe primatëve jo-njerëzor. Kafshët që janë potencialisht të infektuara me linë e majmunëve duhet të izolohen nga kafshët e tjera dhe të vendosen në karantinë të menjëhershme. Çdo kafshë që mund të ketë rënë në kontakt me një kafshë të infektuar duhet të karantinohet, të trajtohet me masa paraprake standarde dhe të vëzhgohet për simptomat e lisë së majmunëve për 30 ditë.
Institucionet shëndetësore të cilat tashmë janë njoftuar me të dhënat për sëmundjen.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco