Escobar, Lajçak: Marrëveshjet me Serbinë duhet të zbatohen, pa e prekur funksionalitetin e Kosovës

Escobar, Lajçak: Marrëveshjet me Serbinë duhet të zbatohen, pa e prekur funksionalitetin e Kosovës

12:03, 02/02/2022

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari evropian për bisedimet Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak, thanë të mërkurën se të dyja palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e deritashme, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por pa dëmtuar tërësinë dhe funksionalitetin e Kosovës.

Të dy të dërguarit e posaçëm i dhanë fund sot një vizite në Kosovë, prej nga pasdite shkojnë në Beograd, në kuadër të përpjekjeve për të ripërtëritë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Që nga e hëna ata janë takuar me udhëheqësit e institucioneve, partive politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar rrjedhën e mëtejme të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“E kemi bërë të qartë në deklaratat e bashkëbisedimet tona se respektojmë plotësisht parimet e Kosovës që janë integriteti, rendi kushtetues dhe funksionaliteti”, tha i dërguari evropian, Miroslav Lajçak.

“Kjo administratë sikurse administratat e kaluara, mbështet fuqishëm pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës. Përtej kësaj, është pjesë e bisedimeve se si të dyja vendet, Serbia dhe Kosova arrijnë normalizimin”, tha i dërguari amerikan, Gabriel Escobar.

Mospajtimet më të thella në bisedimet Kosovë – Serbia kanë të bëjnë me asociacionin e komunave me shumicë serbe, meqë Beogradi ngul këmbë që kjo është çështja kryesore, ndërsa Prishtina ngulë këmbë se marrëveshja e arritur rreth këtij asociacioni bie ndesh me kushtetutën e Kosovës dhe dëmton funksionalitetin e saj.

“Kosova është palë e barabartë në bisedime, që nënkupton se asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës, pa pajtimin e saj. E dëgjoj shpesh se nuk duam një Republikë Serbe dhe mendoj që kam qenë shumë i qartë shpesh se askush nuk dëshiron një Republikë Serbe në Kosovë. Ka një parim universal se çdo gjë për të cilën është rënë dakord, duhet të zbatohet dhe këtë ua themi të dyja palëve”, tha zoti Lajçak.

Zoti Escobar tha se të gjitha marrëveshjet e mëparshme duhet të zbatohen, ndërsa është çështje e bisedimeve se cili do të mund të ishte modeli i themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Synimi im me përmendjen e faktit se ekzistojnë shumë mundësi për themelimin e asociacionit, ishte të them që nuk duhet të jetë një model që dëmton sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës. Duhet ta gjejmë një model të tillë, që mund të negociohet dhe të arrihet marrëveshje rreth tij. Ky është qëllimi i bisedimeve. Nuk është qëllimi i Shteteve të Bashkuara të imponojë një të tillë”, tha zoti Escobar.

Të dy zyrtarët e lartë kanë shfaqur shpresën se ky vit do të jetë periudhë e takimeve të ngjeshura ndërmjet palëve për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që për Shtetet e Bashkuara duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.

“Do të donim të lëvizim përtej bisedimeve, të arrijmë atje ku të gjitha vendet e rajonit e njohin njëri tjetrin, janë në paqe më njëri tjetrin dhe në rrugën drejt integrimeve në Bashkimin Evropian”, tha zoti Escobar.

“Nuk ka ndryshim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kur flitet për bisedimet dhe rezultatin përfundimtar të tyre. Formula evropiane thotë se ne nuk përjashtojmë asnjë rezultat dhe nuk imponojmë asnjë të tillë. Është përgjegjësi e të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të pajtohen se cili do të jetë rezultati përfundimtar”, tha zoti Lajçak, duke nënvizuar se “bisedimet nuk kanë të bëjnë me negocimin e statusit të Kosovës, por për negocimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Serbia do të mbajë në muajin prill zgjedhjet presidenciale e parlamentare dhe shumë vëzhgues pohojnë se ato zgjedhje do të zvarrisin edhe më tej procesin e bisedimeve.

Beogradi synon që zgjedhjet të mbahen edhe në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, sic ka ndodhur në të kaluarën me grumbullimin e votave nga misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë. Por, autoritetet në Kosovë nuk lejuan muajin e kaluar mbajtjen e një referendumi të Serbisë në zonat e banuara me shumicë serbe, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit që ka paralajmëruar “pasoja” nëse nuk lejohet mbajtja e zgjedhjeve të prillit.

Zoti Lajçak, tha se vendimi për këto zgjedhje që u takon autoriteteve të Kosovës, do të ketë ndikim në bisedimet dhe së këndejmi është shtruar për diskutim në takimet e ditëve të fundit në Prishtinë.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.

Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës ka hapur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet fundit në proceset integruese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco