Ekipi i REL sulmohet nga huliganët serb në veri/ AGK apel autoriteteve: Kujdesuni për sigurinë e gazetarëve

Ekipi i REL sulmohet nga huliganët serb në veri/ AGK apel autoriteteve: Kujdesuni për sigurinë e gazetarëve

18:59, 13/10/2021

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar sulmin ndaj një ekipi të gazetarëve të Radios Evropa e Lirë në veri të Kosovës më 13 tetor, kur Policia dhe Dogana e Kosovës kanë kryer një aksion kundër kontrabandimit të mallrave në disa qytete të Kosovës.

Në një reagim në rrjetin social, Facebook, AGK u ka kërkuar organeve të rendit që të kujdesen për sigurinë e gazetarëve në veri të Kosovës.

Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është pamundësuar nga një numër protestuesish në Rudarë të Zveçanit.

Me të hyrë në Rudarë, vetura me të cilën po udhëtonte ekipi i Radios Evropa e Lirë, është ndaluar dhe është rrethuar nga rreth 50 persona, të cilët kanë kërkuar që të mos xhirohen. Në tentim për ta marrë kamerën, e kanë dëmtuar atë dhe makinën taxi, me të cilën ishte duke udhëtuar ekipi.

Ekipi ka arritur të largohet nga turma pa u lënduar.

Ekipi i REL-it po udhëtonte në magjistralen Prishtinë-Rashkë, për të raportuar për barrikadat e vendosura në Rudarë të Zveçanit.

Serbët lokalë kanë vendosur aty kamionë, për të kundërshtuar një aksion të organizuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Policia e Kosovës ka thënë se aksioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Ky aksion është kundërshtuar nga serbët lokalë në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, të cilët kanë protestuar dhe kanë ngritur barrikada.

Deri më tani, sipas autoriteteve, janë lënduar dhjetë policë dhe dhjetë qytetarë në Mitrovicë të Veriut, ndërkaq janë arrestuar ose ndaluar tetë persona. Po ashtu, dhjetë persona të dyshuar për përfshirje me kontrabandë me mallra, janë shpallur në kërkim.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se gjatë aksionit janë sekuestruar mallra të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë të mërkurën se aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovë kundër kontrabandimit të mallrave, është pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal.

"Ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti. Ky operacion është i drejtuar kundër kriminelëve që kanë kontrabanduar mallra në mënyrë ilegale në Kosovë. Prokurorja e rastit është serbe, gjykatësi i procedurës paraprake është serb, pjesëtarët e njësisë së reagimit të shpejtë në Mitrovicë të Veriut janë shumica serbë, shumica e të arrestuarve janë shqiptarë, shumica e të kërkuarve janë shqiptarë", ka thënë Sveçla.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco