Albin Kurti ia kthen ambasadorit Kosnett: Nuk ka asociacion mbi baza etnike!

Albin Kurti ia kthen ambasadorit Kosnett: Nuk ka asociacion mbi baza etnike!

11:16, 17/06/2021

Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti ka deklaruar se kërkesat për asociacion njëetnik nuk po vijnë nga njerëz të thjeshtë, por nga politikanët e fqinjtë veriorë.

Kurti edhe njëherë ka përsëritur se Kosova nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike. Për më tepër ka theksuar se kjo është përcaktuar mirë edhe në aktvendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese.

Kështu është përgjigjur mëngjesin e së enjtes, kryeministri Albin Kurti për KosovaPress mbi deklaratat e ambasadorit amerikan Philip Kosnett. Ky i fundit të mërkuren ka thënë se Kosova e ka detyrim të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kurti ka deklaruar se Kosova e ka një asociacion të komunave dhe ky është funksional.

"Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike.

Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc.

Por, asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015", ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se janë për të drejtat e të gjitha pakicave dhe kundër margjinalizimit apo diskriminimit.

Më tej ai ka thënë se kërkesa të tilla po vijnë nga politikanët dhe fqinjtë veriorë. "Kërkesa për asociacion etnik, e cila ka gati një dekadë që mbahet aktuale nuk më duket që vjen nga njerëzit e thjeshtë. Por nga politikanët e fqinjtë tonë veriorë", ka deklaruar ai.

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett të mërkurën ka thënë se Kosova ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e po ashtu që shtetet kanë detyrim që të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco