Jo, Kosova nuk është precedent për Nagorni-Karabakun

Jo, Kosova nuk është precedent për Nagorni-Karabakun

12:16, 01/12/2020

 

 

 

Nga Ayaz Rzayev, National Interest

Kur fuqitë e mëdha perëndimore e mbështesnin kërkesën e Kosovës për pavarësi, ato paralajmëruan se Kosova ishte ‘sui generis’, një rast i veçantë sipas ligjit ndërkombëtar, që nuk mund të përdoret në asnjë rrethanë si precedent për situata të tjera.

Por në retrospektivë, kjo gjë nuk i pengoi separatistët në vende të ndryshme t’i referoheshin çështjes  së Kosovës, sa herë që u dukej e përshtatshme për ta. Siç u shpreh në atë kohë historiani i njohur britanik Timothy Garton Ash:”Kosova është unike, por do të ketë shumë ‘Kosova’ të tjera”.

Dhe kjo u pa për herë të parë në Osetinë e Jugut dhe Abkazi në vitin 2008, dhe pastaj në Krime në vitin 2014. Pas referendumit në Krime, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se çështja e Kosovës që “kolegët tanë perëndimorë e krijuan me duart e tyre në një situatë shumë të ngjashme” ishte një precedent i duhur për gadishullin.

Çështja e Krimesë, ka vërtetuar se sa të dëmshme mund të jenë përjashtimet në normat tashmë të vendosura të së drejtës ndërkombëtare. Separatistët u bindën se qëndrimi i Perëndimit ndaj separatizmit, është kryesisht një çështje formulimi, pavarësisht se sa herë zyrtarët perëndimorë kanë deklaruar të kundërtën.

Pra, ata besojnë se mund të kenë sukses me lobimin e kauzës së tyre në Perëndim, dhe nëse ia dalin të ndërtojnë një narrativë joshëse që të tërheqë audiencën perëndimore. Për shembull, gjatë referendumit katalanas për pavarësi në vitin 2017, strategjia e qeverisë katalanase ishte që ta detyronte BE-në të ndërhynte në Spanjë, duke u përpjekur ta bindte unionin se ata, ashtu si shqiptarët në Kosovë, nuk kishin zgjidhje tjetër të vlefshme përveç shkëputjes nga“natyra autoritare” e qeverisë Spanjolle.

Taktika të ngjashme janë përdorur nga qeveria armene edhe në rastin e Nagorno-Karabakut. Pavarësia e Kosovës u mirëprit me entuziazëm nga separatistët armenë në këtë rajon, suksesin e së cilës ata shpresuan që ta imitonin. Ata gjithashtu mbështetën aneksimin e Krimesë, duke argumentuar se ajo ishte sërish “një tjetër manifestim i realizimit të së drejtës së njerëzve për vetëvendosje”.

Ndërkohë, gjatë votimit të OKB në marsin e vitit 2014, Armenia votoi pro rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës, dhe që e cilësonte të paligjshëm aneksimin e Krimesë. Lobistët armenë në Perëndim,synojnë të argumentojnë se bazuar tek rasti i Kosovës, Shtetet e Bashkuara duhet që të njohin urgjentisht pavarësinë e Nagorno-Karabakut.

Dhe kjo pavarësisht nga fakti se në atë kohë Departamenti i Shtetit, paralajmëroi qartazi se Kosova nuk ishte një precedent, dhe as që duhet të shihet si i tillë nga ndonjë vend tjetër në botë, dhe sigurisht nuk është një precedent as për Karabakun.

Vetë kryeministri armen Nikoll Pashinyan,ka deklaruar vazhdimisht muajt e fundit se bashkësia ndërkombëtare duhet ta njohë Nagorno-Karabakun si një shtet të pavarur, bazuar në parimin e shkëputjes korrigjuese.

Problemi nuk është vetëm se kjo doktrinë – që pretendon se shkëputja mund të pranohet si mjeti i fundit për t’i dhënë fund shtypjes – është një mit,që nuk ka një themel të fortë teorik në të drejtën ndërkombëtare, dhe nuk ka rëndësinë më minimale për “konfliktet e ngrira” në rajonin post-sovjetik.

Por ai ngre ndërkohë një dilemë të rreme zgjedhje midis një shoqërie të mirë-integruar dhe vetëvendosjes së jashtme, teksa shpërfill plotësisht një qasje të tretë shumë më efektive për zgjidhjen e konfliktit – një vetëvendosje të brendshme, e cila jo vetëm lejon bashkëpunimin ndërmjet grupeve dhe një autonomi e mjaftueshme për të bashkëjetuar, por është gjithashtu mënyra e vetme e zbatueshme për të siguruar një paqe të qëndrueshme në rajon.

Ndërsa e drejta ndërkombëtare përfshin konceptin e vetëvendosjes, ajo nuk përfshin të drejtën e shkëputjes. Në përgjithësi është pranuar se e drejta e vetëvendosjes nuk mund të përdoret për të ndarë territorin e një shteti sovran jashtë paradigmës de-kolonizimit.

Integriteti territorial i shteteve dhe kundër shkëputjes, është i garantuar sipas ligjit ndërkombëtar për një arsye të fortë. Nëse secili grup separatist, shpesh i nxitur nga forma të rrezikshme të nacionalizmit, do të ndiqte vetëvendosjen e jashtme, ai do të destabilizonte plotësisht rendin ndërkombëtar liberal aktual.

Pastaj ekziston ndonjëherë edhe realiteti i errët i pushtimit,që fshihet pas fasadës së vetëvendosjes. Ky është rasti i Krimesë, kur pushtuesit përpiqen të portretizojnë pretendimin e tyre si demokratik, dhe përpiqen t`a lidhin pretendimin e tyre në një mënyrë apo tjetër me vlerat liberale.

Kur nacionalistët armenë filluan lëvizjen Miatsum (Unifikimi) në vitin 1988, qëllimi i tyre përfundimtar ishte aneksimi i Nagorno-Karabakut nga Armenia. Por për të kapërcyer mosmiratimin ndërkombëtar të irredentizmit dhe për të fituar mbështetjen e liberalëve, pushtimit më vonë u cilësua si një luftë për vetëvendosje.

Qeverisë armene i pëlqen të argumentojë se Nagorno-Karabaku e arriti pavarësinë “përmes një referendumi popullor demokratik”. Në praktikë, një referendum i tillë nuk është asgjë më shumë sesa një sondazh i opinionit publik. Sipas ligjit ndërkombëtar, një deklaratë e njëanshme e pavarësisë e bazuar mbi një referendum, nuk është më i ligjshëm sesa një shkëputje e njëanshme pa një votim popullor.

Pavarësisht luftimeve të reja disa javë më parë, Perëndimi mund të ndihmojë ende në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore dhe të qëndrueshme të konfliktit të Nagorno-Karabakut, por për ta bërë atë, duhet të ketë një qëndrim më të ashpër ndaj separatizmit. Çështja e Kosovës duhet të qëndrojë vërtet ‘sui generis’. E drejta ndërkombëtare është më e fortë, kur normat e saj nuk lënë shumë hapësirë për interpretime

Ayaz Rzayev është hulumtues në Qendrën “Topchubashov” në Baku të Azerbajxhanit dhe kontribues në “Frontier Europe Initiative” në kuadër të Institutit të Lindjes së Mesme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco