Policin e kapin duke fjetur gjumë, kolegët i transferojnë në Prizren

Policin e kapin duke fjetur gjumë, kolegët i transferojnë në Prizren

13:58, 20/09/2020

Inspektimi i kontrollit të brendshëm të Policisë së Kosovës, në fund të gushtit ka hyrë në rajonin policor të Zhurit në Prizren, mirëpo aty ka gjetur një polic që po flinte gjumë në një kohë kur duhej të ishte në detyrë.

Me vendim të drejtorit rajonal të Prizrenit, zyrtari i Policisë u pezullua për 72 orë, kurse 12 kolegët e tij  i transferuan nga Zhuri në stacionin policor në Prizren, me përjashtim të komandantit.

Sipas zëdhënësit të Policisë Shaban Osmanollaj, zyrtari i Policisë, i cili është gjetur duke fjetur kur duhet të ishte në detyrë, është duke e hetuar Drejtoria e Standardeve Profesionale.

“Referuar rastit të cilit ju keni referuar është iniciuar procedure disiplinore e brendshme për shkak te shkeljes se rënde disiplinore. Me vendim të Drejtorit Rajonal, ai është suspenduar në afat prej 72 ore. Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria e Standardeve Profesionale”, thuhej në njoftim.

Por, është shtuar se ndaj asnjë zyrtari policor tjetër nuk është iniciuar hetim i brendshëm dhe lëvizja e personelit nuk ka të bëjë me çështjen e policit të suspenduar, por me udhëzimin administrativ mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës, sipas së cilës, është kompetencë e Drejtorit Rajonal që për nevoja operative dhe ngritjen e imazhit për të rritur performancën në punë të bëhet lëvizja e personelit policor që të arrihen rezultatet e dëshiruara në luftën kundër shkeljeve ligjore.

Pavarësisht pretendimeve, ky rast që tingëllon si ndëshkim për hatër të një polici të lodhur që flinte, ka ngritur shqetësim në radhët e efektivëve të Policisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco