Skandal diplomatik në Mynih/ A e nxori Kurti incizimin, për të manipuluar opinionin?

Skandal diplomatik në Mynih/ A e nxori Kurti incizimin, për të manipuluar opinionin?

19:38, 15/02/2020

Duke thyer rregullat ‘Chatham House Rule’ sipas të cilave pjesëmarrësit nuk kanë të drejtë t’i nxjerrin ato që fliten në tryezë, fjala e kryeministrit Kurti në panelin e mbajtur në Mynih, ka rrjedhur në opinion si incizim dhe është publikuar si video 'live'.

Regjistrimi i fshehtë dhe publikimi i videos së Kurtit është i vetmi rast që ka ndodhur nga kjo konferencë me dyer të mbyllura dhe përbën një skandal diplomatik.

Video ka qarkulluar pasi është publikuar ‘live’ në Facebook nga llogaria e një personi të quajtur Brahim Demaku, të cilën ai e ka fshirë sot.

Me pjesëmarrjen e 35 udhëheqësve të shteteve dhe qeverive, diskutimi i Kryeministrit të Kosovës u zhvillua në margjinat e Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë, i cili nisi punimet të premten në Mynih, ku në këtë tryezë, i pranishëm ishte edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Sa ishte në opozitë,Kurti kishte deklaruar se nuk do të pranonte të ulej në tavolinë me përfaqësuesit e Serbisë, pa kërkuar falje Serbia për krimet ndaj Kosovës.

Por këtë qëndrim, ai e ndërroi gjatë intervistës së kësaj jave në Rubikon, kur tha se do të pranonte të ulej në tavolinë me ta edhe pa kërkuar falje.

Edhe kështu ndodhi, pasi kryeministri Kurti u ul në një tavolinë me Vuçiç, të premten.

Duke analizuar incizimi e fjalës së Kurtit, në të cilën dallohet se ai ishte i ashpër me Vuçiç, mesa duket edhe rrjedhja e tij në media, kishte pikërisht këtë qëllim, që ai të arsyetohej për uljen në një tavolinë me Presidentin e Serbisë.

Gjithashtu me këtë incizim ai mund të mbrohet nga sulmet e mundshme që kishte mbajtur “takim të fshehtë”, meqë konferenca ishte me dyer të mbyllura.

Në një intervistë për Evropën e Lirë, kryeministri Kurti ishte kujdesur të thoshte se nuk e konsideron takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pjesëmarrjen e përbashkët në një tryezë në Mynih.

“Unë nuk jam takuar me Vuçiçin. Kemi qenë në një tryezë të rrumbullakët, ku kanë qenë të ftuar të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.

Në lidhje me debatin me dyer të mbyllura, për të cilin Vuçiç tha se ishte “i ashpër”, Kurti ka deklaruar se nuk dëshiron të japë detaje, duke u thirrur në rregullat e organizatorit të panelit, që nuk lejojnë të bëhen publike pikëpamjet e pjesëmarrësve, sipas Chatham House Rule.

Përkundër rregullave që e ndalojnë një gjë të tillë, incizimi i fshehtë dhe shpërndarja e fjalës së Kurtit në këtë konferencë, po shihet si një lojë tjetër e tij, në vazhdën e manipulimit të opinionit me qasje populiste.

Pjesëmarrësit në Konferencën e Mynihut kanë qenë të akredituar dhe dihet saktësisht se kush ishte i pranishëm në sallë dhe është e mundshme që të hetohet nga organizatorët se si ka rrjedhur ky incizim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco