'LVV e LDK ta çojnë amanetin e votuesve në vend, ndryshe do t'i ndeshkojë sovrani'

'LVV e LDK ta çojnë amanetin e votuesve në vend, ndryshe do t'i ndeshkojë sovrani'

22:15, 09/12/2019

Zhagitja e subjekteve fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, në këtë rast LVV-së dhe LDK-së për arritjen e një koalicioni qeveritar ka bërë që të këtë përplasje në distancë nga zyrtarë të subjekteve politike por edhe moskrijimi i qeverisë së re ka stagnuar proceset integruese në vend.

Por sipas njohësve të çështje politike, 'fajet' për arritjen e marrëveshjes i faturohen të dyja subjekteve, por më shumë LDK-së të cilat nuk janë në gjendje ta dergojnë amanetin e qytetarëve në vend për ndryshim, derisa e përjashtojnë edhe organizimin  e zgjedhjeve të reja si zgjidhje për momentumin politik.

Politologu Albinot Maloku dhe sociologu Fadil Maloku kanë dhënë vlerësimet e tyre për Syri.net Kosova

Sipas politologut Maloku, shtyerja e marrëveshjes mes LVV-së dhe LDK-së për koalicionin e kahmotshëm të përfolur, ku për pasojë nuk e kemi qeverinë e re është krejt e papranueshme.

"Periudha prej 6 tetorit e deri më sot, me krejt këto veprime të të interesuarve për koalicion e ka nënçmuar tej mase kulturen politike që treguan qytetarët në ditën e zgjedhjeve", thotë Maloku për Syri.net Kosova, duke shtuar se futja e pozitës së presidentit në pazare politike dhe vazhdimi i kësaj tradite e ka denigruar pa mas këtë pozitë politike brenda hierarkisë shtetërore të Kosovës.

Maloku thekson se vendi ka president dhe nuk është e nevojshme të diskutohet për këtë çështje.

Sipas tij, LDK-ja nuk është dashur t'i bie pishman vlerësimit të vetë, se ata nuk e shohin të udhës të diskutohet për pozitën e presidentit.

Ai flet edhe për pasojat e kësaj zhagitje, ku në fazën në të cilën ndodhet qytetari e shteti i Kosovës mund të jenë jo të vogla.

Analisti thotë se qytetarët votuan duke shpresuar po ashtu që mos të kemi traditë ku kemi zhagitje muajsh deri te formimi i institucioneve të vendit.

"Tradita, ku duhet të intervenojnë ndërkombëtarët për të formuar institucionet e reja po ashtu është nënçmuese dhe irrituese, edhe pse ndërkombëtarët nuk guxojmë t'i kritikojmë pse ata duhet të ndërhyjnë përderisa këtë ua mundësojnë politikanët vendor", shton Maloku.

E sipas tij, as zgjedhjet e reja nuk kanë asnjë kuptim nëse subjektet politike i shohin si zgjidhje.

"Nuk e di cili qytetar ka me i marr seriozisht cilindo politikan nëse zgjedhjet e reja i shohin si zgjidhje. Konform kësaj nuk i rekomandoj në asnjë formë zgjedhjet e reja të cilat proklamohen si mundësi e daljes nga kjo zhagitje e shkaktuar nga akterët aktual potencial të koalicionit", thekson politologu Maloku.

Kurse sociologu Fadil Maloku ngerçin e krijuar politik nuk e sheh si gatishmëri për të shkuar në zgjedhjet e reja, e as për ndonjë plan tjetër rezervë B, ngase sipas tij thjesht si të tillë nuk ka.

"Arsyet e vetme për mos shkuarje nuk janë vetëm penalltitë (morale, por, edhe ato politike) dhe ndëshkimet e elektoratit racional, i cili LDK-në, mund ta dënoj ashpër shkaku i jogatishmërisë për "kompromise", thekson Maloku për Syri.net Kosova.

Por sipas Malokut në kalvarin e ndëshkimit moral (jo edhe aq politik) s'mund të amnestohet as LVV.

"Dhe atë, jo për ndonjë shkak tjetër, sa shkaku i naivitetit dhe jodjallëzisë për ta finalizuar qeverisjen me "rugovistët" e djallëzuar", shprehet socialogu Maloku.

E përderisa LVV dhe LDK ia gjuajnë topin njëra-tjerës për mungesën e kompromisit, ngerçi politik, edhe pas dy muajve të zgjedhjeve po vazhdon, ngase këto dy subjekte fituese nuk po arrijnë deri të një marrëveshje e koalicionit e cila vendin do ta nxirrte nga kriza qeveritare por edhe ajo e integrimit në strukturat euro-atlantike dhe të BE-së. 

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco