Enver Hoxhaj hedh poshtë shkrimin e medias serbe: Synon destabilizimin e vendit

Enver Hoxhaj hedh poshtë shkrimin e medias serbe: Synon destabilizimin e vendit

20:13, 16/04/2018

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka përgënjeshtruar lajmin e publikuar në mediat serbe në lidhje me gjoja ndërhyrje të mundshëm të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.

Hoxhaj tha se mediat serbe po vazhdojnë ta manipulojnë publikun me lajme të rreme në lidhje me Kosovën, dhe se këto lajme kanë për qëllim destabilizimin e vendit.

Hoxhaj tha se lajmi i publikuar në portalin serb Informer është lajm i rremë që tenton të nxisë tensione në Mitrovicën veriore.

“Mediat serbe po vazhdojnë ta manipulojnë publikun me lajme të rreme në lidhje me Kosovën. Lajmi i publikuar sot nga një portal, i cili njihet për tendencën e manipulimit dhe lajmeve të rreme, për gjoja ndërhyrjen e Policisë së Kosovës në Mitrovicën veriore, është lajm i rremë dhe qëllimkeq, i cili synon të nxisë tensione në veri të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj.

Hoxhaj shtoi se Policia e Kosovës është institucion me përbërje multi-etnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve.

“Këtë e ka dëshmuar edhe vlerësimi ndërkombëtar si policia më profesionale në rajon”, ka përfunduar Hoxhaj.

Portali serb, Informer, gjatë ditës së sotme ka publikuar një shkrim ku flitet për gjoja intervenim të Policisë së Kosovës në veri të vendit, para datës 25 prill.

Informer njihet si portal tendencioz që jo-rrallëherë shpërndan lajme të rrejshme për të nxitur tensione në Kosovë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco