Lajmi i fundit

LIVE/ Dita 9 e protestave në Shqipëri, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Koha e të vërtetave të pakëndshme për Tiranën dhe Prishtinën

Koha e të vërtetave të pakëndshme për Tiranën dhe Prishtinën

Nga Endrit Reka - 03/11/2025

Prej vitesh publikut i shitet ideja e një përplasjeje “parimore” mes Tiranës dhe Prishtinës, më saktësisht mes KM Edi Rama dhe KM Albin Kurti. Por pyet sot këdo në politikë, diplomaci apo siguri: cila është konkretisht çështja? Përgjigja është zero. Nuk ka substancë. Nuk ka dallim strategjik. Ka vetëm një konflikt të sajuar, të paartikuluar, të papërcaktuar. Dhe fakti që askush nuk mund ta emërtojë me saktësi këtë “mospajtim”, e provon që ai nuk ekziston si çështje shtetërore, por si lojë interesi për konsum elektoral dhe protagonizëm personal të të dyve.

Ndërkohë që kryeministrat tanë “namusqarë” prodhojmë mjegull si dy “venditori di fumo” (shitës tymi) dhe e shesim si “politikë”duke u gjuajtur me kunja dhe çuar fjalë njëri tjetrit përmes të tretëve, Serbia operon me disiplinë strategjike, duke ndërtuar koalicione, duke lobuar dhe duke ndjekur objektiva të qarta. Në këtë realitet duke e parë të vërtetën në sy, nuk ka asnjë mundësi që të mos arrish në përfundimin se ky është një vetë-sabotim gjeopolitik e jo politikë shtetërore. Shqiptarët nuk fitojnë asgjë nga ky duel e kjo lojë që në mos qofshin të qëllimshme, në versioni më të mirë vetëm humbin kohë dhe besueshmëri.

Ndërkohë, Kosova ka një rast të artë në arenën e sigurisë që as nuk e prek, as nuk e kupton: në NATO sot janë katër shtyllat më të mëdha të mbështetjes për të – SHBA-ja, Turqia, Shqipëria dhe Kroacia. Asnjë vend kandidat për NATO në histori nuk ka qenë më i privilegjuar. Megjithatë, Tirana nuk demonstron vullnet real ta udhëheqë diplomatikisht këtë proces, ndërsa Prishtina nuk shfrytëzon as asetet që ka, duke shpërdoruar besimin dhe durimin e aleatëve. Deklarata e fundit e Kryeministrit të Kosovës që “Kosova nuk është në NATO por NATO është në Kosovë”, është sa shterpë aq edhe miope për një vizion apo projekt për rrugëtimin drejt anëtarësimit në NATO. Marrëdhëniet shpesh të acaruar me vendet perëndimore dhe mungesa e shpeshtë e bashkërendimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës me ato të KFOR-it kanë sjellë edhe deklarata tepër kritike të diplomatëve dhe Komandantëve të KFOR-it - të gjitha provokime simbolike, rezultate zero dhe në fund pasoja reale.

Në planin ekonomik, këtë gjendje e dëmtojnë dy sjellje paralelisht të papërgjegjshme. Në Kosovë, LVV që është në pushtet u nis me narrativen se shqiptarët “dashurokan Amerikën vetëm për interes”, duke e ulur mbështetjen tonë historike për SHBA-në në nivel cinik dhe duke ushqyer propagandë anti-perëndimore, dhe kjo gjë është matur lehtësisht përmes anketimeve. Po të mos e dinim realitetin, do mendonim se këto narrativa janë prodhuar në laboratorët e Moskës e jo në Prishtinë. Mos harrojmë faktin se ishin pikërisht aktivistë të LVV-së ata që në Qershor të vitit 2013 u përplasën me ambasadoren amerikane te gardhi i Kuvendit dhe talleshin me “Amelika, Amelika”, ndërsa sot flasin për partneritet strategjik. Nga ana tjetër, në Shqipëri investitorët amerikanë largohen jo nga retorika anti-amerikane, por sepse përballen me sistem të korruptuar, pasiguri ligjore dhe grupe ekonomike që kontrollojnë tregun dhe e shohin kapitalin perëndimor si kërcënim për monopolin e tyre. Rezultati është identik: ekonomia ngec, aleanca dobësohet dhe investimit amerikan i thuhet “Стой!” (ndal).

Nëse dikush pyet sot pse nuk ka më projekte strategjike amerikane as në Tiranë, as në Prishtinë, përgjigjja është e thjeshtë: sepse krerët shqiptarë po i trajtojnë aleatët si mjete personale komunikimi për interesa pushteti e jo si garanci ekzistenciale për kombin. Dhe kur udhëheqësit shqiptarë nuk duan të bëhen bashkë, me dashje ose pa dashje, kjo është një arsye më shumë për armiqtë e Shqiptarëve të bëjnë më shumë presion e përpiqen më shumë që shqiptarët të mos bëhen kurrë bashkë. Nëse nuk është paaftësi apo ego, atëherë çfarë është? Vetëm naivët nuk e shohin që kjo sjellje po ushqen pikërisht agjendat që duan të na mbajnë të ndarë, të dobët dhe të manipulueshëm.

Fjalimeve dhe qëndrimeve sipërfaqësore pro partnerëve tanë strategjikë i ka dalë moda me kohë. Duhet të mbyllet teatri mes Tiranës dhe Prishtinës, të nisë ofensiva reale për NATO, të hapet korridori i kapitalit amerikan dhe të ndërtohet arkitekturë shtetërore e orientimit strategjik, jo folklor diplomatik për facebook e tiktok.

Në këtë moment, drejtimi politik duhet të udhëhiqet vetëm nga pjekuria kombëtare. Pavarësisht se të fortët bëjnë ctë duan dhe të vegjlit bëjnë atë që duhet, kombet e meritojnë të zgjedhin e duhet të zgjedhin; kombet që nuk zgjedhin, zgjidhen prej të tjerëve.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco