Ekuinoksi i marsit po afrohet dhe do të sjellë pranverën astronomike në Hemisferën Veriore dhe vjeshtën astronomike në Hemisferën Jugore.
Këtë vit, ekuinoksi pranveror ndodh me 20 mars, në orën 10:46 paradite EDT (14:46 UTC), sipas Time and Date. Meqë ekuinokset janë ngjarje globale të lidhura me pjerrësinë e boshtit të Tokës ndaj diellit, ekuinoksi i marsit ndodh në të njëjtin moment në të gjithë botën.
Pse ekzistojnë stinët?
Toka ka stinë sepse boshti i saj është i pjerrët rreth 23.5 gradë në raport me orbitën rreth diellit. Kjo pjerrësi bën që zona të ndryshme të Tokës të marrin sasi të ndryshme drite gjatë vitit.
Gjatë ekuinoksit, asnjëra hemisferë nuk është e anuar drejt ose larg diellit. Si rezultat, dielli ndriçon pothuajse drejtpërdrejt mbi ekuator dhe dita është pothuajse sa nata.
Ekuinokset ndodhin dy herë në vit, dhe zakonisht sjellin rreth 12 orë ditë dhe 12 orë natë në të dy hemisferat. Fjala "ekuinoks" vjen nga latinishtja: "aequus" (i barabartë) dhe "nox" (natë).
Pas ekuinoksit të marsit, në Hemisferën Veriore ditët fillojnë të zgjasin, ndërsa në Hemisferën Jugore natët bëhen më të gjata, deri në solsticin e verës me 21 qershor.
Shkruar në gur dhe në yje
Ekuinokset janë festuar nga shumë kultura gjatë historisë.Në Chichén Itzá, një kompleks maja në gadishullin Jukatan në Meksikë, drita e lindjes së diellit gjatë ekuinoksit krijon iluzionin sikur një gjarpër po zbret nga piramida e Kukulcán. Besohet se kjo shënon fillimin e sezonit të mbjelljeve.
Edhe shumë tempuj të tjerë mendohet se janë ndërtuar në mënyrë që të përputhen me lindjen e diellit në ekuinoks, përfshirë Sfinksin e Madh në Giza të Egjiptit dhe Angkor Wat në Kamboxhia.
Një festë tjetër e lidhur me ekuinoksin e marsit është Nowruz, Viti i Ri pers, i cili besohet se ka rreth 3000 vjet histori.
Çfarë mund të shohim në qiell
Nëse nuk mund të shihni lindjen e diellit në një vend të veçantë për ekuinoksin, mund të shikoni qiellin pak pas perëndimit të diellit më 20 mars. Një hënë e hollë në rritje (rreth 5%) do të duket pak mbi planetin Venus në drejtimin perëndim–jugperëndim.
Gjithashtu do të shfaqen shenja pranvere edhe në yje. Arusha e Madhe do të jetë lart në verilindje për vëzhguesit në gjerësitë e mesme veriore.
Ndërkohë, në qiellin jugor do të dallohen tre yje të njohur të pranverës:Arcturus (në yjësinë Boötes), Spica (në Virgo), Denebola (në Leo). Këta tre yje formojnë së bashku një figurë të njohur si "Trekëndëshi i Pranverës". / Live Science – Syri.net
© SYRI.net