Intensifikimi i shpejtë i uraganit Erin, çfarë do të thotë kjo për motin e Evropës

Intensifikimi i shpejtë i uraganit Erin, çfarë do të thotë kjo për motin e Evropës

21:25, 19/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Uragani Erin u bë uragani i parë i Atlantikut për sezonin 2025 të premten, më 15 gusht, duke u shndërruar brenda pak më shumë se 24 orësh nga një stuhi e kategorisë 1 në një stuhi të kategorisë 5. Pas disa luhatjeve në forcë, Erin mbetet një prej rasteve më të shpejta të intensifikimit të regjistruara ndonjëherë në Atlantik.

Shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike kanë një rol vendimtar në këto fenomene, pasi ngrohja globale po rrit temperaturat e oqeanit dhe lagështinë atmosferike, duke i dhënë uraganeve më shumë “karburant” për t’u forcuar me shpejtësi. Një analizë paraprake e organizatës Climate Central vlerëson se intensifikimi i Erinit mbi ujëra jashtëzakonisht të ngrohta ishte deri në 100 herë më i mundshëm për shkak të ndryshimeve klimatike.

Meteorologët e përshkruajnë Erinin si një stuhi “jashtëzakonisht të madhe”, e cila pritet të luhatet mes forcës së kategorisë 2 dhe 3, duke u zhvendosur drejt Atlantikut Perëndimor. Edhe pse nuk pritet të prekë drejtpërdrejt tokën, stuhia pritet të sjellë rryma të fuqishme, valë të larta dhe përmbytje të rrezikshme në Bahamas, Bermuda, Bregun Lindor të SHBA-së dhe bregdetin atlantik të Kanadasë në ditët në vijim.

Ndërkohë, pyetja që ngrihet është: a do të ndiejë Evropa efektet e uraganit Erin? Parashikimet sugjerojnë se, teksa lëviz drejt ujërave më të ftohta, Erin do të humbasë energjinë e tij tropikale dhe do të shndërrohet në një sistem me presion të ulët, duke kaluar në një stuhi ekstratropikale. Kjo prapëseprapë do të thotë se moti në disa vende të Evropës Perëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën, mund të bëhet më i paqëndrueshëm.

Zyra Meteorologjike e Britanisë paralajmëron se në fund të gushtit mund të shfaqen kushte më të lagështa dhe me erë. “Ne po e ndjekim nga afër gjurmën e Erin dhe mundësinë që ish-uragani të ndikojë mbi Mbretërinë e Bashkuar javën e ardhshme”, deklaroi Zëvendës Kryemeteorologu Stephen Kocher, duke theksuar se parashikimi ende mbetet i pasigurt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco