Ndahet nga jeta aktori i njohur i, ylli i ‘Buffy the Vampire Slayer’ dhe ‘Ted Lasso’

Ndahet nga jeta aktori i njohur i, ylli i ‘Buffy the Vampire Slayer’ dhe ‘Ted Lasso’

17:54, 05/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Aktori britanik Anthony Head, i njohur për rolet e tij në seriale të suksesshme si Buffy the Vampire Slayer, Ted Lasso, Merlin dhe Little Britain, është ndarë nga jeta në moshën 72-vjeçare.

Head fitoi famë ndërkombëtare në fund të viteve ’90 me interpretimin e Rupert Giles në serialin kult Buffy the Vampire Slayer, një nga personazhet më të dashur të ekranit të vogël. Më pas, ai vijoi karrierën me role të rëndësishme në disa prodhime të njohura televizive, duke përfshirë personazhin e mbretit Uther Pendragon në serialin Merlin të BBC-së, rolin e Rupert Mannion në Ted Lasso dhe paraqitjet e tij në komedinë Little Britain.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u bë i ditur nga vajzat e tij, Emily dhe Daisy Head.

“Ai u nda nga jeta në paqe, si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga pneumonia, i rrethuar nga familja e tij”, thuhet në deklaratën e tyre.

“Me zemër të thyer njoftojmë humbjen e babait tonë të jashtëzakonshëm. Ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë një nder e privilegj të jemi vajzat e tij dhe të kemi parë nga afër ndikimin që ai dhe puna e tij kanë pasur në jetën e kaq shumë njerëzve”, shprehen ato.

Emily dhe Daisy shtuan se e dinin se sa shumë do t’u mungonte familjarëve, miqve, kolegëve dhe admiruesve të tij, duke theksuar se Anthony Head e donte thellësisht profesionin e tij dhe e konsideronte veten me fat që kishte mundur t’i përkushtohej aktrimit gjatë gjithë jetës.

Familja e aktorit u shpreh gjithashtu se trashëgimia artistike që ai lë pas do të vazhdojë të jetojë përmes veprës së tij dhe kujtimeve që ka krijuar tek publiku.

Përveç roleve televizive, Anthony Head u shfaq edhe në filma dhe prodhime të njohura si The Iron Lady, Persuasion, The Inbetweeners dhe Manchild, duke ndërtuar një karrierë të gjatë dhe të vlerësuar në botën e kinemasë dhe televizionit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco