Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Jasmin Kadriu, ka bërë deklarata të forta lidhur me përvojën e saj brenda formatit, duke hedhur akuza për komunikim të papërshtatshëm dhe mungesë respekti nga ana e produksionit.
Në një intervistë për emisionin “Më prit të dielën”, ajo foli hapur për raportin e saj me stafin realizues, pas aludimeve të mëhershme për favorizime brenda shtëpisë më të famshme në Kosovë.
Sipas Jasminës, situata është përshkallëzuar edhe jashtë shtëpisë. Ajo pretendon se ka marrë një mesazh privat nga producentja Olsa Muhameti, e cila e ka akuzuar për mungesë mirënjohjeje, duke i shkruar: “Sa e pështirë”.
Ish-banorja publikoi edhe përgjigjen e saj, duke theksuar se reagimet publike nuk kanë qenë për vëmendje apo përfitime personale, por për të ndarë përvojën e saj.
Ajo shtoi se ka zgjedhur të mos përmendë emra të tjerë apo të japë detaje konkrete, me qëllim që të mos përshkallëzojë më tej situatën, duke nënvizuar se deklaratat e saj kanë qenë të përgjithshme dhe të menduara.
Ndër rrëfimet më të forta ishte ai për “Dhomën e Rrëfimit”. Jasmina pretendon se gjatë qëndrimit në BBVK është përballur me gjuhë fyese nga produksioni, duke e cilësuar mungesën e respektit si të vazhdueshme dhe të përsëritur.
© SYRI.net