Bad Bunny është bërë artisti i parë në historinë 68-vjeçare të çmimeve Grammy që fiton çmimin për Albumin e Vitit me një disk të kënduar tërësisht në gjuhën spanjolle.
Artisti portorikan u shpërblye për albumin e tij të gjashtë, Debí Tirar Más Fotos, një projekt personal dhe i fuqishëm që eksploron historinë e muzikës latine, duke lënë pas konkurrentë si Lady Gaga, Kendrick Lamar dhe Sabrina Carpenter në çmimin kryesor të mbrëmjes.
31-vjeçari, i cili do të jetë edhe ylli i shfaqjes së pjesës së parë të Super Bowl javën e ardhshme, ia dedikoi çmimin emigrantëve. Ceremonia u shoqërua me mesazhe të forta politike, ku shumë artistë reaguan kundër goditjes së ashpër të administratës amerikane ndaj emigracionit.
Mes tyre ishte edhe këngëtarja britanike Olivia Dean, e shpallur “Artistja më e mirë e re”. “Jam këtu si mbesa e një emigranteje”, u shpreh ajo, duke kujtuar gjyshen e saj Carmen, pjesë e brezit Windrush.
Edhe emra të njohur si Kehlani, Gloria Estefan dhe Billie Eilish shprehën mbështetjen për emigrantët.
Bad Bunny, emri i vërtetë i të cilit është Benito Ocasio, u duk i habitur kur Harry Styles lexoi emrin e tij si fitues i Albumit të Vitit. Ai mori disa çaste për t’u përmbajtur para se të ngjitej në skenë.
Me lot në sy, artisti ia kushtoi çmimin “të gjithë atyre njerëzve që u detyruan të linin shtëpinë, tokën dhe vendin e tyre për të ndjekur ëndrrat”.
© SYRI.net