Bill Gates ka dhuruar afro 7,9 miliardë dollarë (rreth 6,7 miliardë euro) në fondacionin privat të ish-gruas së tij, Melinda French Gates, si pjesë e marrëveshjes së divorcit të tyre, sipas raportimit të New York Times. Kjo konsiderohet një nga ‘dhuratat’ më të mëdha humanitare që janë bërë publike ndonjëherë.
Sipas një deklarate të re tatimore të analizuar nga Theodore Schleifer, kjo dhuratë e bërë në vitin 2024 përbën pjesën e parë të ndarjes financiare pas divorcit të vitit 2021 dhe të ndarjes së projekteve filantropike të çiftit në vitin 2024. Dhurata u bë për Pivotal Philanthropies Foundation, një fondacion relativisht i ri i krijuar nga Melinda French Gates.
Kur Melinda njoftoi në maj të vitit 2024 dorëheqjen nga posti i bashkëpresidentes së Fondacionit Bill & Melinda Gates, ajo sugjeroi se Gates do të dhuronte 12,5 miliardë dollarë për projektet e saj filantropike, me qëllim përmirësimin e jetës së njerëzve.
Megjithatë, detajet e sakta të ndarjes filantropike nuk ishin publike deri tani dhe kjo deklaratë tatimore është e para që tregon shifrat konkrete. Raportet tatimore për vitin 2025, të cilat do të bëhen publike në fund të vitit 2026, mund të zbulojnë shumën e mbetur që Melinda tha se do të shërbente për projektet e saj: rreth 4,6 miliardë dollarë. Një pjesë e kësaj shume mund të mos jetë dhuruar drejtpërdrejt për fondacionet humanitare, por për entitete të tjera si Pivotal Ventures, kompani me përgjegjësi të kufizuar e Melindës, e cila nuk ka detyrim të dorëzojë deklaratë tatimore.
Ky veprim tregon angazhimin masiv financiar të Gates për filantropinë, duke ndarë jo vetëm pasurinë personale, por edhe projektet e mëdha humanitare pas ndarjes së çiftit.
© SYRI.net