Mbrëmjen e së martës ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur këngëtari i njohur shqiptar Shpat Kasapi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Bologna të Italisë, ku artisti ndodhej për të performuar në një koncert.
Sipas informacioneve të para, Kasapi nuk është ndjerë mirë gjatë mbrëmjes dhe pak momente më vonë ka humbur jetën. Dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë një atak kardiak, ndonëse këngëtari nuk raportohej më parë të kishte pasur probleme shëndetësore.
Shpat Kasapi, i lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, ishte rritur në një familje me origjinë dibrane dhe traditë muzikore. Ai u bë pjesë e skenës shqiptare në fillim të viteve 2000, duke fituar popullaritet të madh me stilin modern dhe performancat energjike. Këngë të tij si “A më do?”, “Valle Kosovare”, “Dashni pa limit” dhe “Aroma e saj” u kthyen në hite mbarëkombëtare.
Gjatë më shumë se dy dekadave karrierë, Kasapi mori pjesë në festivale të rëndësishme dhe realizoi bashkëpunime që mbetën të dashura për publikun. Ai vazhdoi të ishte aktiv edhe vitet e fundit, duke ruajtur popullaritetin.
Artisti ishte konfirmuar si pjesë e edicionit të radhës të spektaklit Big Brother Albania VIP 5, por fatkeqësisht nuk arriti ta realizonte këtë angazhim për shkak të ndarjes së parakohshme nga jeta.
Lajmi i vdekjes së tij ka sjellë dhimbje dhe reagime të shumta në mesin e artistëve, kolegëve dhe fansave, të cilët po e përkujtojnë si një nga zërat më të dashur të skenës shqiptare.
© SYRI.net