Quentin Tarantino i rikthehet aktrimit në rolin e tij më të madh në gati 30 vjet

Quentin Tarantino i rikthehet aktrimit në rolin e tij më të madh në gati 30 vjet

15:48, 28/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Regjisori i njohur dhe fituesi dy herë i çmimit “Oscar”, Quentin Tarantino, po i rikthehet zyrtarisht aktrimit në rolin e tij më të madh pas gati tridhjetë vitesh. Ndërsa ai ka pasur role të vogla në filmat e tij ndër vite, përfshirë “Reservoir Dogs” (1992), “Pulp Fiction” (1994) dhe “Django Unchained” (2012), roli i tij i fundit kryesor ishte në filmin kult të vitit 1996 “From Dusk Till Dawn”, me regji nga miku i tij i ngushtë Robert Rodriguez.

Sipas Screen Rant, Tarantino do të luajë në filmin e ardhshëm të regjisorit Jamie Adams, “Only What We Carry”, përkrah aktorëve Simon Pegg, Charlotte Gainsbourg, Sofia Boutella, Liam Helman dhe Lizzie McAlpine. Filmi është xhiruar në Deauville të Francës gjatë gjashtë ditëve në fund të shtatorit, me një buxhet minimal dhe shumë prej skenave janë realizuar përmes improvizimit nga aktorët.

“Only What We Carry” përshkruhet si një meditim mbi dashurinë, humbjen dhe guximin e qetë që kërkohet për të ecur përpara. Projekti ndjek një stil narrativ të ngjashëm me filmat e mëparshëm të Adams, si “She Is Love” dhe “Wild Honey Pie!”, të frymëzuar nga veprat e Eric Romero dhe Hong Sang-su.

Në qendër të historisë është Julian Jones (Simon Pegg), një instruktor dikur i respektuar, ndërsa ish-nxënësja e tij, Charlotte Levant (Sofia Boutella), kthehet në shtëpi për t’u përballur me fantazmat e së kaluarës. Tarantino interpreton rolin e John Percy-t, mikut të vjetër të Julian-it, mbërritja e papritur e të cilit sjell në sipërfaqe të vërteta të harruara.

Roli i Josephine Chabrol, motrës mbrojtëse të Charlotte-s, interpretohet nga Charlotte Gainsbourg, ndërsa Liam Helman luan rolin e Vincent-it, një artist i ndarë mes dashurisë dhe besnikërisë. Debutimin e saj kinematografik e bën edhe Lizzie McAlpine, në rolin e Jacqueline, një balerinë e re që i detyron personazhet të përballen me barrën e së shkuarës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco