Aktorja ikonike e Hollywood-it, Diane Keaton, ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare, dhe shkaku i vdekjes së saj është konfirmuar zyrtarisht nga familja.
Në një deklaratë për revistën People, familja njoftoi se fituesja e çmimit Oscar ndërroi jetë më 11 tetor si pasojë e pneumonisë, pas disa muajsh përballjeje të heshtur me probleme shëndetësore. “Familja Keaton është thellësisht mirënjohëse për dashurinë dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që ka marrë në këto ditë të vështira,” thuhet në deklaratë.
Ata ftuan miqtë dhe admiruesit e aktores që, në vend të luleve, të bëjnë donacione në kujtim të saj për banka ushqimore ose strehë kafshësh — kauza që Keaton i kishte shumë për zemër. Lajmi për ndarjen nga jeta të aktores ka tronditur Hollywood-in dhe fansat në mbarë botën.
Karriera e Diane Keaton zgjati gati gjashtë dekada, duke u bërë një nga figurat më të dashura të kinemasë amerikane. Nga roli i paharrueshëm në “The Godfather” te çmimi Oscar për “Annie Hall”, ajo la pas një trashëgimi të pasur artistike me filma si “Father of the Bride”, “The First Wives Club” dhe “Something’s Gotta Give”. Aktorja la pas dy motrat e saj, Dorrie dhe Robin, si dhe dy fëmijët e adoptuar, Dexter dhe Duke.
© SYRI.net