Pretendimet e rreme për gjininë e zonjës së parë të Francës kanë bërë lajm për vite me radhë. Tani thashethemet janë ringjallur.
Brigitte Macron, bashkëshortja e presidentit francez Emmanuel Macron, do të ndërmarrë hapin e jashtëzakonshëm për të paraqitur prova në një gjykatë amerikane se ajo është grua. Kjo vjen si pjesë e një padie për shpifje që familja Macron ngriti në korrik kundër komentatores amerikane të së djathtës ekstreme Candace Owens, e cila ka ndezur zjarrin e një teorie të çuditshme konspirative se Brigitte në fakt ka lindur mashkull dhe e ka fshehur statusin e saj transgjinor nga bota.
Avokati i Macron-ëve, Tom Clare, tha të enjten se çifti do të paraqesë "dëshmi ekspertësh" të cilat "kanë natyrë shkencore". Ai shtoi: "Është jashtëzakonisht shqetësuese të mendosh se duhet të nënshtrohesh dhe të paraqesësh këtë lloj prove." Por Brigitte, theksoi ai, "është e vendosur të bëjë gjithçka që duhet për të sqaruar çështjen".
Owens, mbështetëse e Trump-it, është një nga përkrahëset më të zëshme të këtij thashethemi të çuditshëm mbi gjininë e Brigitte-ës, bashkë me komentatorin tjetër konservator Tucker Carlson, i cili e përforcoi edhe më shumë këtë thashethem pasi pretendoi se ishte i vërtetë në një video të publikuar në YouTube në mars.
Ylli në ngjitje i rrjeteve sociale, Owens, u kap fillimisht pas këtij thashethemi të pabazë në vitin 2024, duke postuar një video në kanalin e saj në YouTube me titullin thumbues: "A është zonja e parë e Francës burrë?". Duke e promovuar në X (ish-Twitter), Owens shkroi: "Ndalo gjithçka dhe shiko këtë! Nuk është shaka ose ekzagjerim të thuash se, përveç atentateve politike, ky është me shumë gjasë skandali më i madh që ka ndodhur ndonjëherë në politikë në historinë e njerëzimit."
Në videon e saj të marsit 2024 (që më vonë u fshi), Owens iu referua burimit të mundshëm fillestar të historisë pikante: një artikull i vitit 2021 në revistën franceze të djathtë Faits et Documents, që bënte pretendimin tronditës se Brigitte, 71 vjeçe, dhe vëllai i saj Jean-Michel Trogneux ishin në fakt i njëjti person. Historia pretendonte se Jean-Michel nuk ekziston: Brigitte vetë kishte lindur si Jean-Michel dhe më pas kishte kaluar nga mashkull në femër në moshën 30-vjeçare.
"Do të vija bast gjithë reputacionin tim profesional mbi faktin se Brigitte Macron është vërtet burrë," tha Owens. Që prej asaj kohe ajo u ka ofruar 4.07 milionë ndjekësve të saj në YouTube një mori postimesh për zonjën e parë franceze, përfshirë një seri videosh me shumë pjesë të quajtur Becoming Brigitte.
Owens nuk është ndalur as përballë kritikave, përfshirë ato të Piers Morganit, i cili vuri bast 100 mijë dollarë me të se zonja Macron është grua. Në janar 2025, Owens zbuloi se ishte kontaktuar nga një firmë ligjore që përfaqëson Macron-ët, duke ndarë një pjesë të letrës së tyre ku pretendohej se ajo po "shpifte".
Por vëmendja nga familja e parë e Francës vetëm sa ka ndezur më tej fushatën e Owens-it. Në shkurt, ajo postoi një intervistë me gazetarin francez Xavier Poussard, redaktor i Faits et Documents dhe autor i librit Becoming Brigitte. Ajo video ka mbledhur deri më sot 2.6 milionë shikime.
Sipas gazetarit francez Emmanuelle Anizon, i cili ka shkruar një libër mbi këtë teori konspirative, Poussard filloi t'i përkthente artikujt e tij për Macron-in në anglisht në vitin 2023 dhe i dërgoi te bashkëpunëtorë të Trump-it. Ëndrra e tij ishte "ta eksportonte këtë thashethem përtej Atlantikut".
Fillimisht teoria kishte qenë vetëm një mani e brendshme. Gazetarja e vetëdeklaruar, Natacha Rey, e përforcoi historinë përmes një videoje katërorëshe në YouTube në dhjetor 2021, duke e quajtur identitetin e zonjës Macron një "gënjeshtër shtetërore". Videoja u bë virale para zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit 2022, duke marrë gjysmë milioni shikime para se YouTube ta hiqte. Hashtagu #JeanMichelTrogneux ishte trend në Twitter, duke u përdorur mbi 66 mijë herë dhe u përhap nga grupet anti-vaksinë dhe ndjekës të QAnon-it.
Macron-ët reaguan. Duke folur në mars 2024, presidenti francez tha: "Gjërat më të këqija janë informacionet e rreme dhe skenarët e fabrikuar. Njerëzit përfundimisht u besojnë atyre dhe të shqetësojnë, edhe në intimitetin tënd." Vajza e zonjës Macron i quajti thashethemet "groteske" dhe "një formë ngacmimi".
Zonja e parë bëri një ankesë për shpifje kundër Roy dhe Rey dhe në shtator 2024 të paditurit u urdhëruan të paguanin dëmshpërblim. Megjithatë, ajo mbrojtje publike, si për ironi, e mbajti gjallë historinë. Owens e dëgjoi për herë të parë falë një artikulli mbi reagimin e Macron-it. Më pas Tucker Carlson mori stafetën, duke mbështetur "mikeshën time Candace Owens" dhe duke deklaruar "mbeta i shtangur".
Edhe mediat shtetërore ruse e çuan më tej raportimin e Owens-it, gjë që e bëri atë krenare. Për të tjerë, "e vërteta" është edhe më e çuditshme. Një përdorues i TikTok pretendoi se zonja Macron është në fakt vetë babai i Macron-it, duke thënë: "E di që duket e çmendur… Truri im po shkrihet."
Si arriti ky akuzim absurd të merrte përmasa globale? Sander van der Linden, profesor në Universitetin e Kembrixhit, vëren se jetojmë në një mjedis gjithnjë e më të fragmentuar mediatik. "Nuk kemi më shpërndarje qendrore të lajmeve. Në vend të kësaj njerëzit gjenden në dhoma të vogla akustike, duke u besuar verbërisht burimeve të tyre të zgjedhura. Këto janë kushte ideale që teoritë e konspiracionit të lulëzojnë."
Joseph Uscinski, profesor në Universitetin e Majamit, vëren se transmetues si Owens dhe Tucker kanë "një audiencë të gatshme, të prirur ndaj konspiracioneve" që zgjedhin kanale jashtë medias kryesore. "Historia e Macron-ëve është ushqim ideal. Ajo ushqen paragjykimet e tyre ekzistuese, plus që është skandaloze dhe argëtuese."
Van der Linden shpjegon se kjo lidhet me një narrativë më të gjerë: "Është një kombinim i elitave të liga që na fshehin gjëra dhe që nuk janë ata që thonë se janë dhe dyshimi ndaj personave trans dhe ideologjisë gjinore." Akuza është qartazi e ricikluar,"E njëjta histori është përhapur për Michelle Obamën dhe Jacinda Ardernin."
Pjesa serioze e kësaj sage qesharake lidhet me marrëdhëniet SHBA-Francë. Ato janë tashmë të tensionuara, me politikanë francezë që kritikojnë qëndrimin e Trump-it mbi Ukrainën, ndërsa Shtëpia e Bardhë u kundërpërgjigj për varësinë e Francës ndaj Amerikës gjatë luftës. Nëse thashethemi shoqërohet me mbështetësit e Trump-it, kjo mund ta tensionojë marrëdhënien edhe më tej, një rezultat i dëshiruar në Moskë, paralajmëron van der Linden. "Qëllimi i Rusisë është të ndezë përçarje dhe kaos."
Në gusht, Emmanuel Macron shpjegoi pse ishte i domosdoshëm veprimi ligjor: "Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e nderit tim! Është dikush që e dinte shumë mirë se kishte informacion të rremë dhe e bëri me qëllim për të shkaktuar dëm në shërbim të një ideologjie."
Thashethemet e pabazuara, në fund të fundit, shpesh mund të kenë pasoja shumë reale. / The Telegraph - Syri.net
© SYRI.net