Në Kështjellën 1000-vjeçare të Windsor-it, përgatitjet po zhvillohen me një kujdes të jashtëzakonshëm për vizitën e dytë shtetërore të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili do të pritet këtë javë nga Mbreti Charles III.
Në korridoret dhe oborret e kështjellës, qindra punonjës janë angazhuar: tryeza gjigante prej mahagonit 50 metra po shtrohet, kuajt e karrocave mbretërore po përgatiten dhe Garda Mbretërore po stërvitet për të siguruar një ceremoni të përsosur.
Vizita do të shoqërohet me bankete madhështore, argjendari historike 200-vjeçare dhe të gjithë pompozitetin e ceremonialeve britanike. Ky spektakël nuk është vetëm traditë, por edhe një mjet i fuqishëm diplomatik për të forcuar lidhjet me një nga figurat më të rëndësishme të politikës botërore.
Historiani mbretëror Robert Lacey thekson se Trump e sheh Windsor-in si simbol të lidhjes së veçantë me monarkinë britanike dhe një mundësi për të nderuar kujtimin e Mbretëreshës Elizabeth II, të cilën e ka vlerësuar gjithmonë.
Britania e Madhe, përmes fuqisë së saj të butë, përdor vizitat shtetërore për të forcuar marrëdhëniet dhe për të nxitur mbështetje nga aleatët. Gjatë 70 viteve të mbretërimit të Elizabeth II, në Windsor janë pritur udhëheqës të rëndësishëm, nga Nelson Mandela te presidentët amerikanë, duke e shndërruar këtë ceremoni në një mjet të fuqishëm diplomatik.
Këtë herë, qeveria britanike po kërkon mbështetje nga SHBA për kushte të reja tregtare pas Brexit-it dhe për përballimin e agresionit rus në Ukrainë. Pikërisht për këtë, Kryeministri Keir Starmer i dorëzoi Trump ftesën e mbretit gjatë një vizite në Uashington, vetëm pak javë pasi ai nisi mandatin e dytë presidencial.
Ky është rasti i parë që një udhëheqës botëror ftohet për një vizitë të dytë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar. Vetë Trump e cilësoi ftesën si një nder të jashtëzakonshëm:
“Është një nder i madh, shumë i madh, dhe kjo thuhet në Windsor. Kjo është diçka vërtet e veçantë,” u shpreh ai.
© SYRI.net