Djali i Rupert Murdoch, Lachlan, ka siguruar kontrollin mbi perandorinë mediatike të familjes në një marrëveshje prej 3.3 miliardë dollarëshe për të blerë pjesën e tre fëmijëve më të mëdhenj të manjatit të medias dhe për të përfunduar një betejë të gjatë trashëgimie.
Të hënën, Lachlan Murdoch, trashëgimtari i zgjedhur nga Murdoch, mbylli një marrëveshje për t'i dhënë fund një mosmarrëveshjeje shumëvjeçare mbi të ardhmen e organizatës më të fuqishme së medias në botë, e cila ngjan me dramën e HBO-së Succession.
Sipas kushteve të marrëveshjes, vëllai dhe motrat e mëdha të Lachlan-it, James, Elisabeth dhe Prudence, do të marrin secili nga 1.1 miliardë dollarë për aksionet e tyre në një trust familjar, i cili fillimisht ishte parashikuar të kontrollonte perandorinë mediatike pas dorëheqjes së Rupert Murdoch-ut. Kjo do të përbëjë 80 për qind të vlerës së aksioneve të tyre.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të financohet marrëveshja prej 3.3 miliardë dollarësh, e cila përfshin hua dhe kompani.
E rëndësishme është se marrëveshja do të sigurojë vijimin e prirjes së djathtë të mediave si The Sun, Fox News dhe The Wall Street Journal.
Lachlan Murdoch konsiderohet si më konservatori ndër fëmijët e tij, ndërsa James dhe Elisabeth kanë politika më liberale se babai i tyre.
Marrëveshja vjen nëntë muaj pasi një gjykatë amerikane hodhi poshtë përpjekjen e manjatit 94-vjeçar të medias për të ndryshuar kushtet e trustit familjar, në mënyrë që t'ia dorëzonte kontrollin e gazetave dhe kanaleve televizive Lachlan-it pas vdekjes së tij. Lachlan, 54 vjeç, ka drejtuar biznesin gjatë viteve të fundit.
Dokumentet gjyqësore treguan se komisioneri i Nevadës që mbikëqyrte çështjen e akuzoi Murdoch-un për krijimin e një "maskarade të punuar me kujdes" për të bërë marrëveshjen.
Tre nga fëmijët e Murdoch-ut, Lachlan, James dhe Elisabeth, në një moment u konsideruan si trashëgimtarë të mundshëm përpara se Lachlan-i të zgjidhej si pasardhës.
Por për ta vënë Lachlan-in si trashëgimtar, Murdoch duhej të ndryshonte kushtet e trustit familjar, i cili më parë e ndante kontrollin në mënyrë të barabartë mes katër fëmijëve të tij më të mëdhenj.
Megjithëse përpjekja dështoi në gjykatë, duket se e solli familjen në tryezën e negociatave.
Marrëveshja do t'i japë fund proceseve gjyqësore dhe do të krijojë një trust të ri familjar, i cili do të përfshijë Lachlan-in dhe dy motrat e tij më të vogla, Grace dhe Chloe, dhe do të jetë në fuqi deri në vitin 2050. Ky trust do të mbajë pjesën kontrolluese në Fox Corporation dhe News Corp.
News Corp tha: "Bordi drejtues i News Corp i mirëpret këto zhvillime dhe beson se udhëheqja, vizioni dhe menaxhimi nga kryetari i kompanisë, Lachlan Murdoch, do të vazhdojnë të jenë të rëndësishme për të udhëhequr strategjinë dhe suksesin e kompanisë." / Telegraph - Syri.net/
© SYRI.net