Vivian Wilson, vajza transgjinore e miliarderit dhe sipërmarrësit të njohur Elon Musk, ka dhënë një intervistë ekskluzive për prestigjiozen The Cut. Në këtë rrëfim personal, ajo ka folur hapur për jetën e saj, raportin me familjen, sfidat e tranzicionit dhe dëshirën për t’u ndërtuar si një individ i pavarur, larg hijes së famës dhe pasurisë së të atit. Intervista e saj ka tërhequr vëmendjen e publikut botëror, duke sjellë një tjetër dimension mbi një histori që shpesh është komentuar vetëm nga jashtë.
“Si dreqin hahet kjo?” – pyet Vivian Wilson, duke parë me dyshim disa goca deti në pjatën para saj. “Oh Zot, kanë erë oqeani!” – thotë ajo, edhe pse ishte vetë ajo që i porositi. Për t’u siguruar, nuk kërkoi një duzinë të plotë, por vetëm dy. “Ndihem kaq elegante kur porosis antipasta! Nuk kam ngrënë ushqim ‘fancy’ prej një shekulli,” thotë ajo me humor, edhe pse ulur në një restorant modest me ushqime deti. Pas një përgatitjeje të shkurtër mendore dhe një “E dua ushqimin e detit” të pëshpëritur, Vivian guxon t’i provojë. Reagimi? Një dridhje dhe një gllënjkë piña colada për t’ia mbuluar shijen.
Gjatë darkës, Vivian hapet më shumë. “Mund të jem pak e mbyllur si person. Shpesh, ‘bateria ime sociale’ mbaron më shpejt se e të tjerëve,” tregon ajo. Jetesa e saj është e thjeshtë: porosit shpesh ushqim të lirë sushi, luan lojëra kompjuterike, ndjek K-pop dhe Drag Race, dhe pranon se nuk e telefonon aq shpesh sa duhet nënën e saj, shkrimtaren Justine Musk. Përveç kësaj, ka ADHD, çka e bën të vështirë të rrijë ulur gjatë. “E ndiej veten të rritur, por duket sikur të tjerët nuk mendojnë kështu për mua. Dhe kjo më bezdis,” thotë ajo, edhe pse është vetëm 21 vjeç.
Vivian nuk është një 21-vjeçare e zakonshme. Ajo u bë e njohur në vitin 2022, kur kërkoi zyrtarisht të hiqte mbiemrin e babait të saj. Ishte një surprizë për publikun që njeriu i parë në listën e miliarderëve të botës kishte një vajzë transgjinore kaq të hapur, të sinqertë dhe me humor. Ajo u përqafua menjëherë si një ikonë e rezistencës, sidomos pasi foli kundër babait të saj, por vetë Vivian thotë se nuk kërkon të jetë “heroine”. “Jam ende duke zbuluar kush jam. Dua që njerëzit të më njohin për diçka tjetër, jo vetëm për atë që është më e dukshme,” shprehet ajo.
Marrëdhënia e saj me Elon Musk u prish plotësisht kur ajo ishte 18 vjeç. Në kërkesën e saj për ndryshim emri, Vivian shkroi: “Nuk jetoj më me babain tim biologjik dhe nuk dua të jem e lidhur me të në asnjë mënyrë.” Musk më vonë deklaroi publikisht se i respektonte të drejtat e saj për privatësi, por biografia e Walter Isaacson në vitin 2023 tregoi një version më të tensionuar, duke sugjeruar se qëndrimet e ashpra të Musk kundër “woke” ishin ndikuar nga tranzicioni i vajzës së tij. Në një intervistë, Musk madje e quajti me emrin e saj të lindjes dhe tha se vajzën ia kishte “vrarë virusi woke i mendjes”.
Vivian u kundërpërgjigj shpejt: “Sa herë kontrollova, jam shumë gjallë,” shkroi ajo në Threads. Në intervistën e saj të parë për NBC, e quajti babain “të pandjeshëm” dhe “narcisist”. “Isha e mbushur me inat për vite me radhë. Ishte një shpërthim i domosdoshëm. Dhe ndjesia ishte jashtëzakonisht e mirë”, kujton ajo.
Megjithatë, kjo e ekspozoi edhe ndaj sulmeve online. Të djathtët ekstremë nisën ta sulmonin me fjalë transfobike dhe çdo veprim i saj u bë lajm, nga dalje nëpër bare te komentet për jetën personale. Ajo pranon se shpesh ndjehet e lodhur nga kjo vëmendje: “Shumë njerëz mund të jenë të neveritshëm, sidomos kur komentojnë mbi trupin tim.” Për këtë arsye, thotë se është tërhequr disi nga debati publik dhe nuk dëshiron të flasë më për babain e saj.
© SYRI.net