Tituj të zhurmshëm deri te bestseller-ët: 10 nga librat më të mirë për t’u lexuar këtë verë

Tituj të zhurmshëm deri te bestseller-ët: 10 nga librat më të mirë për t’u lexuar këtë verë

19:28, 18/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qoftë duke përgatitur valixhet për pushime buzë detit, apo duke shfrytëzuar mbrëmjet e gjata në kopshtin e shtëpisë apo parkun më të afërt, ditët e nxehta të verës shpesh na sjellin dëshirën për t’u humbur në një libër të mirë. Fatmirësisht, ky vit sjell një bollëk zgjedhjesh interesante.

Nga romanet më të përfolura të 2025-ës, te sagat epike familjare apo satira therëse mbi botën e sotme, këto 10 tituj janë të përsosur për të ikur nga realiteti për disa orë.

(Lista nuk është e renditur sipas ndonjë klasifikimi.)

1-Waist Deep – Linea Maja Ernst

Një bestseller i madh në Danimarkë, tani i përkthyer në 10 gjuhë. Një grup miqsh nga universiteti, tani në të 30-at, mblidhen në një kabinë rurale për pushime verore. Ajo që fillon si relaks, përfundon në reflektime të thella për jetën e kaluar dhe zgjedhjet e bëra. I përshkruar si “romani thelbësor i brezit milenial”.

2-The Names – Florence Knapp

Romani debutues më i përfolur i vitit. Një histori “Sliding Doors” ku zgjedhja e një emri për një fëmijë ndikon të gjithë jetën. Me tematikë të rëndë si dhuna në familje, por i shkruar me ndjeshmëri dhe shpresë.

3-Perfection – Vincent Latronico

Një roman i shkurtër, por shumë i thellë. Një çift milenialësh që jeton si nomad dixhital në Berlin, duket se kanë gjithçka perfekte – por pas fasadës fshihet boshllëku. Një satirë therëse për jetën e kuruar për rrjetet sociale.

4-Atmosphere – Taylor Jenkins Reid

Autorja e njohur për hitet si Daisy Jones & The Six rikthehet me një roman veror që zhvillohet në sfondin e misioneve hapësinore të NASA-s në vitet ’80. Protagonistja Joan bëhet një nga gratë e para në program dhe përballet me sfida të mëdha.

5-Flashlight – Susan Choi

Një thriller dhe sagë familjare në të njëjtën kohë, që ndjek tre breza të një familjeje përmes dekadave dhe kontinenteve. Me një zhdukje misterioze në qendër, romani tërheq me kompleksitetin dhe stilin e vet.

6-So Far Gone – Jess Walter

Autori i Beautiful Ruins sjell një histori moderne amerikane: një gazetar ambientalist që ka hequr dorë nga jeta moderne rikthehet në realitet pas rrëmbimit të mbesave të tij. Një rrugëtim komik përmes një Amerike të përçarë.

7-The Benefactors – Wendy Erskine

Një roman i fuqishëm nga Irlanda e Veriut që fillon kur tre djem adoleshentë akuzohen për sulm seksual, dhe nënat e tyre bashkohen përballë një komuniteti të ndarë. Një histori për klasën, traumën dhe pëlqimin.

8-Fundamentally – Nussaibah Younis

Edhe pse nuk fitoi çmimin Women’s Prize, është ndër romanet debutuese më të vlerësuara. Një akademike britanike përpiqet të deradikalizojë gra të IS-it, por romani është më shumë humor sesa dramë – dhe vjen nga një autore që ka bërë edhe kurs komedie stand-up për të shkruar me lehtësi.

9-The Sisters – Jonas Hassen Khemiri

Një roman voluminoz (700+ faqe) që ndjek jetën e tre motrave në tre dekada dhe tre kontinente. Një strukturë e pazakontë që shkon nga një vit deri në një minutë. Një nga romanet më ambicioze dhe më të lavdëruara të vitit.

10-Great Black Hope – Rob Franklin

Një histori pjekurie në sfondin e jetës elitare në New York. Protagonisti, një djalë i ri i diplomuar në Stanford, përballet me pasoja të rënda pas një arrestimi për kokainë. Romani eksploron racën, miqësinë, identitetin dhe humbjen – një nga më të komentuarit e kësaj vere.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco