Snoop Dogg si Modric, bëhet bashkëpronar dhe investitor i Swansea City-t

Snoop Dogg si Modric, bëhet bashkëpronar dhe investitor i Swansea City-t

11:43, 18/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Reperi i njohur amerikan, Snoop Dogg, është bërë zyrtarisht bashkëpronar dhe investitor i klubit anglez Swansea City, që garon në Championship, niveli i dytë i futbollit anglez. Lajmi u bë publik pas prezantimit surprizë të Snoop Dogg me fanellën e re të skuadrës për sezonin 2025-26.

Me mbi 88 milionë ndjekës në Instagram dhe më shumë se 100 milionë ndjekës në total në rrjetet sociale, Snoop sjell me vete jo vetëm emër të madh, por edhe një ndikim të jashtëzakonshëm global për klubin nga Uellsi.

“Dashuria ime për futbollin është e njohur, por të bëhem bashkëpronar i një klubi si Swansea City është diçka e veçantë për mua,” u shpreh artisti 53-vjeçar, emri i vërtetë i të cilit është Calvin Broadus.

“Historia e klubit dhe zona më prekën thellë. Është një qytet krenar, punëtor, një ‘underdog’ që lufton fort, njësoj si unë. Jam krenar që tani jam pjesë e Swansea City.”

Bashkë me Snoop Dogg, në pronësinë e klubit ndodhet edhe Luka Modric, ish-‘ylli’ i Real Madrid dhe aktualisht lojtar i Milanit, i cili bleu një pjesë të aksioneve në prill. Këto investime vijnë pas marrjes së kontrollit të klubit në nëntor 2024 nga biznesmenët amerikanë Brett Cravatt dhe Jason Cohen.

Image

Përfshirja e Snoop Dogg thuhet se u bë e mundur përmes lidhjeve të tij personale me Cravatt dhe Cohen. Ai ka premtuar të japë kontributin e tij maksimal për të ndihmuar klubin në aspektin sportiv dhe komercial.

“Ky është ‘episodi tjetër’ për Swansea City,” thanë pronarët në një deklaratë, duke cituar një nga këngët ikonike të reperit. “Me audiencën e tij të madhe në mbarë botën, Snoop do të ndihmojë në rritjen e profilit të klubit.”

Swansea njoftoi gjithashtu se ka inauguruar një mural në nder të Snoop Dogg në tribunën perëndimore të stadiumit Swansea.com, si një shenjë e vendit të tij të ri në historinë e klubit. Ai është përshkruar nga klubi si një njeri me dashuri të thellë për sportin dhe si dikush që do të ketë rol të rëndësishëm në të ardhmen e skuadrës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco