Alisha Lehmann, ‘ylli’ i Zvicrës që shkëlqen edhe pa minuta në fushë

Alisha Lehmann, ‘ylli’ i Zvicrës që shkëlqen edhe pa minuta në fushë

09:27, 18/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Edhe pse ka luajtur vetëm 9 minuta në Euro 2025, Alisha Lehmann vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, duke mbetur një nga figurat më të njohura dhe më të komentuarat të futbollit të femrave.

Sulmuesja 26-vjeçare, aktualisht pjesë e Juventusit, është kthyer në një fenomen global jo vetëm për futbollin që luan, por edhe për imazhin që përfaqëson. Me mbi 17 milionë ndjekës në Instagram, Lehmann ka kaluar në popullaritet edhe emra të mëdhenj si Roger Federer apo Alexia Putellas. Megjithatë, fama e saj ka sjellë edhe polemika.

Ajo shpesh është kritikuar për vëmendjen që i kushton pamjes së jashtme, përfshirë grimin dhe stilin e saj të spikatur, duke u akuzuar se shndërrohet më shumë në një figurë mediatike sesa një lojtare me ndikim në fushë. Por Alisha nuk ka ngurruar të reagojë:

“Njerëzve nuk u pëlqen që luaj me makijazh. Po cili është problemi?”, thotë ajo, duke mbrojtur të drejtën për të qenë vetvetja.

Në kombëtaren e Zvicrës, ku në këtë Europian ka spikatur më shumë talentja 17-vjeçare Sydney Schertenleib, Lehmann ka pasur një rol të kufizuar. Megjithatë, prania e saj mediatike është e tillë që eklipson edhe performancat e bashkëlojtareve të saj.

Për Alishën, sporti dhe feminiteti nuk përjashtojnë njëri-tjetrin. Ajo qëndron besnike ndaj pasionit për futbollin, pavarësisht kritikëve, duke treguar se mund të jesh lojtare, influencuese dhe e vërtetë me veten, të gjitha njëherësh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco