Platforma X mbyll qindra llogari të lidhura me Hamasin që nga sulmi ndaj Izraelit

Platforma X mbyll qindra llogari të lidhura me Hamasin që nga sulmi ndaj Izraelit

15:32, 14/10/2023
A+ Aa A-

Platforma e medias social X mbylli qindra llogari të lidhura me Hamasin dhe ka ndërmarrë hapa për të hequr apo shoqëruar me shënime paralajmëruese dhjetëra mijëra postime që prej sulmit të grupit militant ndaj Izraelit, deklaroi të enjten shefja ekzekutive e platformës, Linda Yaccarino.

Platforma i mori këto veprime pas ultimatumit 24 orësh të vendosur nga kreu i Bashkimit Evropian për industrinë, Thierry Breton ndaj pronarit të platformës X, Elon Musk për të ndalur përhapjen e keqinformimit në këtë media sociale që kur Hamasi sulmoi Izraelin, për të respektuar rregullat e reja të BE-së rreth përmbajtjes në internet.

Zoti Brenton tha se kishte shenja se platforma X po përdorej për të shpërndarë përmbajtje të jashtëligjshme dhe keqinformim në Bashkimin Evropian, sipas VOA-s. Ligji për Shërbime Digjitale, që ka filluar të zbatohet së fundi, detyron platformat e mëdha në internet, përfshirë platformën X dhe Facebook-un, që të heqin përmbajtjen e jashtëligjshme dhe të ndërmarrin masa për të trajtuar rreziqet ndaj sigurisë dhe shprehjes publike.

Sipas zonjës Yaccarino, platforma X ka ndarë burime dhe i ka përqëndruar ekipet brenda saj të trajtojnë situatën që po zhvillohet shpejt, por nuk ka dhënë detaje të tjera. Ajo shtoi se kompania, pronë e zotit Musk, ka mbledhur drejtuesit për të vlerësuar situatën e krijuar pak pas sulmit.

“Duam të përsërisim se mirëpresim angazhimin e vazhdueshëm me ju dhe ekipin tuaj, përfshirë takime, për të trajtuar çfarëdo pyetje konkrete dhe mirëpresim çfarëdo çështje specifike ndaj të cilës mund të përgjigjemi,” shkroi zonja Yaccarino në letrën drejtuar zotit Breton, të shpërndarë në X.

Platforma X ka trajtuar mbi 80 kërkesa nga BE-ja për të hequr nga media sociale përmbajtje brenda afatit të vendosur dhe nuk ka marrë ndonjë paralajmërim nga Europoli për përmbajtje të jashtëligjshme në platformë, sipas letrës. Zoti Breton i drejtoi një paralajmërim të ngjashëm kompanisë Meta pjesë e së cilës është edhe Facebook, duke i dhënë 24 orë për ta njoftuar mbi masat që kjo kompani ka ndërmarrë për t’iu kundërvënë shpërndarjes së keqinformimit në platformat e saj pas sulmit në Izrael.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco