Lajmi i fundit

VIDEO/ Veliajn e presin me protesta në SPAK: O hajdut, o hajdut!

Silvana Loka, rrëfimi i gruas që fitoi luftën me kancerin

Silvana Loka, rrëfimi i gruas që fitoi luftën me kancerin

11:27, 14/10/2023
A+ Aa A-

E fortë, e guximshme, e qeshur dhe plot pozitivitet psikologia Silvana Loka rrëfeu disa ditë më parë gjatë një interviste historinë e saj të betejës me kancerin e gjirit. 

“Ishte një kontroll rutine ku mjeku konstatoi një mase, e cila nuk ishte një vit më parë, për 24 orë unë kisha bërë të gjitha analizat e tjera për të parë nëse ishte tumor. Dy ditët e para, njerëzit e mi të afërt kishim rastisur jashtë dhe e kam përjetuar vetë. Them fizikisht sepse ata sigurisht qe ishin pranë meje. Bëra kontrollet rutinë dhe u futa në një proces të përballjes me diagnozën, duke menduar çdo gjë”-tha Silvana.

Teksa tetori është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin psikologia Loka, përmes një mesazhi të publikuar në 'Facebook' ndau me publikun një mesazh mjaft domethënës se si ka arritur 'të mbijetojë' nga kjo sëmundje fatale, duke mos hequr dorë nga jeta për as një moment.

Shkrimi i saj:

Për të pathënat e kancerit të gjirit

Nuk është vetëm gruaja e diagnostikuar me kancerin e gjirit për të cilën duhet folur në çdo tetor dhe në çdo ditë të vitit.

Familjarët e një gruaje pa gji(nj), pa flokë dhe pa shumë fuqi për të menduar për të nesërmen janë gjithashtu diçka për të cilën duhet folur fort.

Prindërit që janë ende gjallë dhe shikojnë fëmijën që kapet me thonj pas jetës...

Bashkëshortët që ndjejnë frikë nga një jetë pa atë që kanë menduar se do ta kishin përjetë në krah...

Fëmijët që ndjejnë ftohtë nga ideja e një foleje që mund të zhduket...

Kanceri nuk është një sëmundje e individit. Është një sëmundje e familjes.

Një ndër elementët më të fortë të përballjes me kancerin është shformimi fizik. Jo vetëm gjymtimi i trupit, por rënia e flokëve prej trajtimeve gjithashtu.

Kur fillova kemion doktoresha më ofroi mundësinë e një praktike që mund të më ruante një pjesë të flokëve: gjatë kemios mund të mbaja në kokë një kapuç me elektroda dhe akull që të mos i lejonte folikulat e flokëve të përcëlloheshin nga kemio.

I thashë doktoreshës: "Unë jam dagnostikuar me kancer të gjirit. Vajzat e mia meritojnë të shohin se si luftohet për jetën. Unë nuk i fshihem luftës dhe uniforma e kësaj luftë është një kokë pa flokë!".

Akti më i mençur i dashurisë për jetën dhe për familjen tonë ishte kur, në mes të sallonit, unë dhe im shoq qethëm me përpikmërinë e një berberi esnaf çdo qime të mundshme.

Pati lotë, të qeshura dhe batuta të tipit:

- Tani do kursejmë në shampo! ( dhe të tjera si kjo.) [😅]

Prindër!

Bashkëshortë!

Fëmijë!

të grave dhe vajzave të diagnostikuara me kancer të gjirit!

Ju dërgoj një përqafim të madh e të ngrohtë kudo jeni!

*Lutem të më mirëkuptoni për mospublikimin e fotove të prindërve dhe vajzave!

Sa për ta ditur: kemi provuar paruke dhe shaje sa çdo 'fashoniste' do na e kishte zili! [😊]

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco