Çfarë na pret në të ardhmen dhe si mbaron bota? Janë pyetje që gjithmonë i kanë tunduar njerëzit. Shekuj më parë, një mjek francez që e quante veten profet, Nostradamusi, pretendonte se kishte përgjigje. Parashikimet e tij të famshme janë shpesh të paqarta, ndonjëherë shqetësuese, dhe ndjekësit e tij besojnë se profecitë e shekullit XVI vlejnë edhe sot. Madje, disa interpretime pretendojnë se ai parashikoi për vitin 2025 luftëra të gjata, sëmundje dhe një zjarr nga qielli që mund të shkatërrojë Tokën.
Nostradamusi është aq i lidhur me idenë e parashikimit, sa një referencë e vitit 1672 për të është ndër përdorimet e para të fjalës "prognostikim" në anglisht. Por ai nuk ishte një qenie hyjnore. Ishte një njeri real: mjek, farmacist dhe autor francez, i cili fitoi famë në Europën e trazuar të Rilindjes.
Kush ishte Nostradamusi?
Michel de Nostradame lindi në dhjetor 1503 në Saint-Rémy-de-Provence të Francës. Familja e tij kishte prejardhje hebreje, por ishte konvertuar në katolicizëm pasi rajoni u bë pjesë e Francës. Në atë kohë, hebrenjtë përballeshin me presion të madh për t'u konvertuar ose për t'u larguar, ndaj Michel u rrit si katolik.
Ai studioi latinisht, greqisht, hebraisht dhe mjekësi, dhe nisi studimet universitare që adoleshent. Në vitet 1520 mori diplomën bazë në mjekësi, edhe pse studimet e tij u ndërprenë përkohësisht për shkak të murtajës bubonike.
Mjek i murtajës dhe përballje me Inkuizicionin
Pas studimeve, Nostradamusi udhëtoi nëpër Francë, duke studiuar bimët mjekësore dhe duke trajtuar të sëmurët nga murtaja, një nga sëmundjet më vdekjeprurëse të kohës. Ai përdori kura që sot duken joshkencore, por disa prej tyre funksiononin pjesërisht, sidomos ato që nxisnin higjienën dhe ujin e pastër.
Tragjedia personale e goditi rëndë: gruaja e tij e parë dhe dy fëmijët vdiqën, me shumë gjasë nga murtaja. Pak më vonë, ai u akuzua për herezi pasi kritikoi një statujë fetare. Një dënim do t'i kishte kushtuar jetën, por u shpall i pafajshëm dhe vazhdoi punën si mjek.
Megjithëse praktika e tij përfshinte alkimí dhe astrologji, pacientët ishin mjaft të kënaqur dhe emri i tij filloi të përhapej. Me kalimin e viteve, ai fitoi mbështetje edhe nga qarqe të fuqishme.
Parashikimet poetike
Në vitet 1550, Nostradamusi filloi të botonte almanakë vjetorë me parashikime për ngjarjet dhe motin e vitit të ardhshëm. Këto tekste, të shkruara në gjuhë poetike dhe të paqartë, u bënë shumë popullore dhe i sollën famë.
Një nga parashikimet më të njohura ishte ai për vdekjen e mbretit Henri II të Francës, i cili vdiq vërtet në vitin 1559 pas një aksidenti në turne. Kjo ngjarje e rriti reputacionin e Nostradamusit dhe bëri që figura të larta, përfshirë Katerina de Mediçin, të interesoheshin për profecitë e tij.
Gjuha e paqartë ishte një avantazh: ajo e mbronte nga gabimet dhe e lejonte që profecitë të rinterpretoheshin sipas ngjarjeve. Në një Europë të përçarë nga konfliktet fetare dhe sociale, njerëzit ishin veçanërisht të prirur t'u besonin parashikimeve.
Nostradamusi vazhdoi të botonte veprat e tij edhe pse u kritikua si nga katolikët, ashtu edhe nga protestantët dhe madje u burgos shkurtimisht për botime pa leje. Ai vdiq në vitin 1566.
Çfarë parashikoi dhe çfarë ndodhi realisht
Përveç rastit të Mbretit Henri II, disa profeci të tjera janë interpretuar si të "realizuara". Një shembull i famshëm është parashikimi se Parlamenti i Londrës do ta vriste mbretin e vet, gjë që ndodhi në vitin 1649 me ekzekutimin e Charles I. Ai përmendi edhe zjarr në Londër, që u lidh më pas me Zjarrin e Madh të vitit 1666.
Me kalimin e kohës, mbështetësit i kanë atribuuar Nostradamusit parashikime për Revolucionin Francez, Napoleonin, Hitlerin dhe ngjarje të tjera të mëdha. Por po aq profeci të tij nuk janë realizuar kurrë, ose janë interpretuar në mënyrë të shtrembëruar.
Madje, parashikimet e tij janë përdorur për propagandë, përfshirë nga regjimi nazist, dhe nga grupe ekstremiste për të përhapur ideologji.
Ai përmendi edhe fundin e botës, duke parashikuar një "mbret terrori" që do të vinte nga qielli në vitin 1999, diçka që nuk ndodhi, por që ushqeu frikërat e asaj kohe.
Pse na intereson ende?
Më shumë se 500 vjet pas vdekjes së tij, Nostradamusi vazhdon të lexohen, interpretohet dhe debatohet. Profecitë e tij na tërheqin sepse prekin frikërat dhe shpresat tona për të ardhmen. Në fund të fundit, kush nuk do të donte ta dinte çfarë e pret, ose të besojë se dikush mund ta shohë? / NationalGeographic – Syri.net
© SYRI.net