Kur Howard Carter hodhi sytë mbi varrin e mbyllur të Tutankhamunit me 26 nëntor të vitit 1922 dhe pëshpëriti se pa "gjëra të mrekullueshme", ai nuk mund ta imagjinonte se zbulimi i tij do të kthehej jo vetëm në sensacionin më të madh arkeologjik të shekullit, por edhe në një nga legjendat mbinatyrore më të famshme në histori: mallkimi i mbretit Tut.
Vetëm disa muaj pasi hapën vendin 3000-vjeçar të prehjes së faraonit, anëtarët e ekspeditës nisën të vdisnin në rrethana misterioze, duke nxitur tituj gazetash për një mallkim të lashtë që thuhej se do merre viktima për vite me radhë.
Disa nga ata që thuhej se i zuri mallkimi nuk hynë kurrë në varrin e Tutit. Ata thjesht kishin një lidhje, sado të vogël, me mumien e faraonit, me sendet e ndritshme të gjetura në dhomën e varrit, ose me Lord Carnarvon-in, aristokratin britanik që financoi gërmimet.
"Mallkimi i Faraonëve" u kthye në një fenomen kulturor që ndërthurte tragjedi të vërteta me ekzagjerime të mediave, duke ngritur pyetje që vazhdojnë edhe sot: Ishin këto vdekje një hakmarrje paranormale, apo thjesht ngjarje tokësore?
Zbulimi që tronditi botën
Historia filloi në Luginën e Mbretërve në Egjipt, ku arkeologu britanik Howard Carter kishte kaluar 15 vite të lodhshme duke kërkuar varrin e mbretit të panjohur Tutankhamun.
I financuar nga konti i pasur George Herbert, Lord Carnarvon, kërkimet e Carter-it po shkonin drejt dështimit. Carnarvon, i cili ishte futur në botën e arkeologjisë pas një aksidenti të rëndë automobilistik dhe kërkimit të klimës së ngrohtë egjiptiane, ishte gati të tërhiqej, kur në nëntor të vitit 1922 Carter bëri zbulimin e jetës.
Ai gjeti një varr mbretëror pothuajse të paprekur, plot me thesarë të artë dhe objekte të panumërta që ofronin një pasqyrë unike mbi jetën mbretërore të Egjiptit të lashtë.
Lord Carnarvon udhëtoi menjëherë nga Anglia për të qenë i pranishëm në hapje. Ai ishte ndër të parët që pa thesaret e faraonit pas më shumë se tre mijë vitesh. Varri përmbante mbi 5000 objekte, nga karrocat e arta te maska ikonike funerare që sot është simbol i arkeologjisë egjiptiane.
Ndërkohë, Carter mblodhi një ekip ekspertësh për të dokumentuar dhe ruajtur objektet delikate. Mes tyre ishte Arthur Mace, një arkeolog me përvojë nga Muzeu Metropolitan, si edhe studiues dhe zyrtarë të ndryshëm që erdhën për të parë këtë mrekulli.
Zbulimi bëri bujë në mbarë botën, por pas pak filluan edhe titujt për "mallkimin e mbretit Tut".
Prishësit qetësisë së faraonit i pret vdekja
Legjenda e mallkimit nisi menjëherë pasi Lord Carnarvon vdiq papritur me 5 prill 1923, vetëm pesë muaj pas hapjes së varrit.
Ai ishte pickuar nga një mushkonjë, kishte hapur plagën gjatë rruajtjes dhe pati një infeksion gjaku që u përkeqësua në pneumoni. Carnarvon vdiq në Kajro në moshën 56-vjeçare, me trup të dobësuar nga aksidenti i vjetër. Por gazetat e kthyen vdekjen e tij në histori sensacionale, duke pretenduar se faraoni po hakmerrej.
Arthur Conan Doyle, autori i Sherlock Holmes, i ndezi edhe më shumë këto thashetheme kur tha se një "element i lig" mund ta kishte shkaktuar sëmundjen e Carnarvon-it.
Viktimat e supozuara u shtuan shpejt.
Vëllai i tij nga e njëjta nënë, Aubrey Herbert, vdiq vetëm pesë muaj më vonë, gjithashtu nga helmimi i gjakut pas një procedure dentare. Industrialisti amerikan George Jay Gould, i cili vizitoi varrin si i ftuar i Carnarvon-it, vdiq nga pneumonia në maj të vitit 1923 pasi u sëmur pas udhëtimit në Egjipt.
Arthur Mace, që kishte punuar ngushtë me Carter-in, la Egjiptin në vitin 1924 për shkak të shëndetit të dobët dhe vdiq në vitin 1928 nga probleme të mushkërive. Arkeologu Hugh Evelyn-White vrau veten në vitin 1924 dhe, sipas thashethemeve, la një shënim që thoshte: "Më zuri një mallkim."
Edhe lidhjet e largëta u bënë shkas për histori: egjiptologu Aaron Ember, mik i anëtarëve të ekspeditës, vdiq në një zjarr në shtëpi ndërsa përpiqej të shpëtonte dorëshkrimin e tij "Libri egjiptian i të vdekurve".
Me kalimin e kohës, tregimet u bënë edhe më dramatike.
Sir Bruce Ingram, një mik i Carter-it që mori nga ai një dorë të mumifikuar si suvenir, humbi shtëpinë në zjarr dhe gjatë rindërtimit ajo u përmbyt. Ndërkohë, historia se radiologu Sër Archibald Douglas Reid vdiq pasi i bëri një radiologji mumjes së Tutit rezultoi të ishte e trilluar, ai vdiq para se të kryente ekzaminimin.
Mediat madje pretenduan se dritat në Kajro u fikën në momentin e vdekjes së Carnarvon-it dhe se qeni i tij në Angli nisi të ulërinte e ngordhi në të njëjtën kohë. Asnjëra nga këto nuk u vërtetua.
Dhe me kalimin e kohës, studiuesit zbuluan se shumë nga këto histori për mallkimin e mbretit Tut ishin tërësisht të sajuara.
E vërteta shkencore pas mallkimit të mbretit Tut
Analizat moderne tregojnë se mallkimi ishte kryesisht një shpikje e mediave sensacionale, e kombinuar me rastësi të pafata.
Nga 58 personat që thuhet se ishin të pranishëm kur u hap varri dhe sarkofagu, vetëm tetë vdiqën brenda 12 viteve, një shifër që nuk tregon aspak një shënjestër mbinatyrore. Më domethënësi është fakti se vetë Howard Carter, i cili kaloi më shumë kohë në varr se kushdo tjetër dhe preku drejtpërdrejt mumien, jetoi deri në vitin 1939 dhe vdiq nga kanceri në moshën 64-vjeçare.
Në realitet, shumica e vdekjeve të lidhura me mallkimin mund të shpjegohen me nivelin ende të kufizuar të mjekësisë në vitet 1920.
Para zbulimit të antibiotikëve, infeksione nga pickimet e mushkonjave, procedurat dentare apo plagë të vogla shpesh përfundonin fatalisht. Helmimi në gjak, pneumonia dhe pleuriti ishin vrasës të zakonshëm në një kohë kur mjekësia kishte pak mjete kundër infeksioneve bakteriale. Imuniteti i dobësuar i Lord Carnarvon-it nga aksidenti i mëparshëm e bënte atë më të rrezikuar, ashtu si edhe problemet e vazhdueshme me mushkëritë të Arthur Mace-it.
Disa shkencëtarë kanë sugjeruar se edhe vetë mjedisi brenda varrit mund të ketë ndikuar në sëmundjet e frymëmarrjes.
Dhoma e mbyllur përmbante pluhur, jashtëqitje lakuriqësh nate dhe ndoshta spore kërpudhash toksike si aspergillus flavus, të mbledhura aty për mijëra vite. Arkeologët që punonin nëpër varre të mbyllura dhe pa ventilim thithnin këto substanca për orë të tëra, çka mund të shkaktonte ose përkeqësonte probleme të mushkërive. Kjo shpjegon pse disa, si Mace, patën sëmundje respiratore, ndërsa vizitorë të tjerë mbetën plotësisht të shëndetshëm.
Edhe rreziqet e profesionit luajtën rol në disa prej këtyre vdekjeve.
Sër Archibald Douglas Reid, për shembull, ka shumë gjasa të ketë vdekur nga ekspozimi ndaj rrezatimit, një fat i zakonshëm për radiologët e parë, përpara se të kuptohej rreziku i rrezeve X. Pra, ishte profesioni i tij që e vrau, jo "magjia egjiptiane". Vetëvrasja e Hugh Evelyn-White-it lidhet me depresionin dhe humbjen e miqve, ndoshta e rënduar edhe nga histeria mediatike rreth mallkimit. Në këtë rast tragjik, besimi te mallkimi mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen e tij psikologjike.
Praktikisht, legjenda e mallkimit tregon më shumë për shoqërinë e viteve 1920 sesa për fuqitë e lashta egjiptiane. Pas Luftës së Parë Botërore, publiku kërkonte mister dhe ekzotikë. Egjipti u shndërrua në një arratisje romantike, dhe ideja se forcat e lashta mund të ndëshkonin pushtuesit modernë përputhej me modën e kohës për okultizëm, sidomos ndërsa "egjiptomania" pushtoi botën perëndimore.
Gazetat e kuptuan shpejt se historitë për mallkime rrisnin shitjet, ndaj çdo vdekje, sadopak e lidhur me varrin, iu shtua listës.
Por prova më e fortë kundër mallkimit të mbretit Tut është ajo që nuk u gjet kurrë: mbishkrime mallkimi në varrin e Tutankhamunit. Paralajmërimet e tmerrshme që thuhej se ishin gdhendur në muret e varrit ishin të gjitha trillime.
Vdekjet, megjithëse të trishtueshme, ishin krejt brenda normave të kohës. Shumica dërrmuese e njerëzve të lidhur me zbulimin jetuan gjatë dhe shëndetshëm.
© SYRI.net