Elizabeta I, vajza e Henri VIII, është e vetmja mbretëreshë angleze që nuk është martuar kurrë. Vizita e saj e fundit në Kenilworth, 450 vjet më parë, mund të mbajë disa nga çelësat e mbretërimit të saj të vetmuar – siç zbulohet në një instalacion të ri artistik në kështjellë, që portretizon tradhti, prerje koke dhe një deklaratë dashurie të stërholluar.
Në një mbrëmje korriku të vitit 1575, mbretëresha 41-vjeçare Elizabeta I mbërriti në Kalanë Kenilworth në Warwickshire të Anglisë, për atë që do të ishte vizita e saj më e gjatë dhe e fundit atje. Ajo ia kishte dhuruar kështjellën Robert Dudley-t në vitin 1563 dhe e kishte shpallur Kont i Leicester-it një vit më vonë. Dudley ishte një nga njerëzit më të afërt me mbretëreshën dhe besohet se ishte mik i saj që në fëmijëri. Natyrisht, marrëdhënia e tyre e ngushtë ka qenë subjekt i shumë thashethemeve.
Para mbërritjes së saj, Dudley kishte rinovuar plotësisht kështjellën. Kishin ndërtuar godina të reja, kishte krijuar një kopësht të ri dhe kishte riorganizuar gjithë peizazhin. Ai nuk kurseu asgjë për të organizuar një spektakël madhështor: muzikë, valle, akrobaci, fishekzjarre të mahnitshme dhe pjesë teatrale me aktorë të maskuar. Në liqenin rreth kështjellës kishte një ishull që lëvizte, ku banonte "Zonja e Liqenit", një delfin 7.3 metra i gjatë që fshehte muzikantë brenda, dhe një sirenë notuese prej 5.5 metrash.
Gjithçka ishte një përpjekje e qartë për të fituar zemrën e Elizabetës – një gjest gjigant romantik i shekullit XVI. "Festimet e vitit 1575 ishin një përpjekje për të joshur Elizabetën – martesa ishte një temë në disa nga ngjarjet", thotë Jeremy Ashbee, kuratori kryesor i pasurive në English Heritage. "Historiania Elizabeth Goldring e ka quajtur këtë përpjekje të Dudley-t ‘hedhja e fundit e zareve’.”
Gjërat dukeshin premtuese, por gjithçka ndryshoi. Pika kulmore e vizitës do të ishte një shfaqje teatrale më 20 korrik. Ajo nuk u mbajt kurrë. Zyrtarisht, për shkak të motit të keq. Por, ndoshta mbretëresha kishte mësuar temën e shfaqjes dhe ishte zemëruar. Në të, Diana – perëndesha e dëlirësisë – kërkonte një nimfë të dëlirë me emrin Zabetta, një version i emrit Elizabeta. Në fund, një lajmëtar i Junos – perëndeshës së martesës – i kërkonte mbretëreshës të mos ndiqte rrugën e Dianës, por të martohej. Kjo ndoshta e kaloi kufirin, dhe shfaqja u anullua. Elizabeta qëndroi disa ditë më shumë në kështjellë, dhe u largua më 27 korrik.
“Krenare dhe zjarrtë”
Sot, artistja Lindsey Mendick ka përkujtuar këtë vizitë 450-vjeçare me një instalacion skulpturor të quajtur Wicked Game në kalanë Kenilworth. Frymëzuar nga mitologjia e lashtë dhe ngjarjet reale, veprat portretizojnë mbretëreshën dhe të afërmit e saj si kafshë. Në pjesën qendrore, Elizabeta është një luaneshë dhe Dudley një ari. Skulpturat janë vendosur mbi një tabelë shahu gjigante të "shpërthyer".
“Lojra shahu është metafora perfekte për atë që Elizabeta duhej të bënte për të mbijetuar,” thotë Mendick. “Të refuzosh martesën si grua në pushtet ishte një akt radikal vetëmbrojtjeje dhe autonomie.”
Elizabeta I erdhi në pushtet në vitin 1558 në moshën 25-vjeçare, pas një periudhe të trazuar që la pas vëllai i saj Eduardi VI dhe motra e saj Maria I. Ajo trashëgoi kriza politike, fetare dhe financiare.
Këshilltarët dhe Parlamenti e nxisnin vazhdimisht të martohej – për të siguruar një trashëgimtar mashkull dhe për të patur një burrë që të merrte drejtimin e çështjeve ushtarake. Por Elizabeta refuzonte vazhdimisht. Pse?
“Asnjë zot mbi mua”
Mund të jetë që vetë ideja e nënshtrimit ndaj një burri ishte e papranueshme për të. Ishte shumë e arsimuar, njihte pesë gjuhë dhe ishte një mendje e mprehtë. Thuhet se ka deklaruar: “Unë do të kem vetëm një zonjë këtu – dhe asnjë zot.”
Gjithashtu, ajo kishte parë me sytë e saj një grua që qeveriste me autoritet: njerka e saj, Katherine Parr, kishte vepruar si regjent ndërsa Henri ishte në luftë.
Familja e saj i kishte dhënë gjithashtu një imazh të zymtë të martesës: babai i saj e ekzekutoi nënën e saj, Anne Boleyn, kur Elizabeta ishte vetëm tre vjeç. Një nga skulpturat e Mendick e përshkruan këtë ekzekutim: Anne është një dhelpër që lutet para një qenush ekzekutues.
Disa studiues, si Alison Weir, kanë sugjeruar se Elizabeta mund të kishte frikë nga marrëdhënia seksuale – ose më saktë, nga pasojat e saj. Shtatzënia dhe lindja në atë kohë ishin shumë të rrezikshme; shumë gra kishin vdekur nga to, përfshirë edhe nënën e nënës së saj dhe njerkën Katherine Parr.
Pse nuk u martua?
Por kishte edhe arsye politike. Mosmarrja e një bashkëshorti e linte Anglinë të lirë nga ndikimet e huaja dhe i jepte Elizabetës një mjet për të negociuar me mbretëritë e tjera. Ajo e kuptonte fuqinë e imazhit dhe propagandës. Në vitin 1559 tha: “Do të jem e martuar me Mbretërinë e Anglisë.”
Filmi i famshëm Elizabeth (1998) me Cate Blanchett përshkruan pikërisht këtë transformim në “Mbretëreshën e Virgjër”. Edhe pse jo gjithmonë i saktë historikisht, ai përçoi realitetin politik dhe emocional të vendimit të saj për të mos u martuar.
Në vitin 1971, seriali i famshëm Elizabeth R me Glenda Jackson e kishte Elizabetën që deklaronte:
“Unë nuk kam besuar më asnjë burrë që nga ajo ditë kur isha tetë vjeç, dhe mbretëresha Catherine Howard po vraponte në galeritë e pallatit, duke ulëritur për ndihmë…”
“Fillimisht vjen besimi, pastaj pasioni, pastaj vdekja.”
Edhe në komedinë Blackadder, Elizabeta (e luajtur nga Miranda Richardson) përdor premtimin për martesë si manipulim politik.
A kishte vërtet Dudley shpresë për një martesë? Vizita e Kenilworth ndoshta ishte shansi i fundit. Por Ashbee thotë: “Nuk mendoj se u ndje i poshtëruar. Në testamentin e tij, kërkoi që kështjella të ruhej ashtu siç ishte atëherë. Mbase ai e konsideroi vitin 1575 si momentin e tij më të madh.”
© SYRI.net