Ekonomia shqiptare është e ekspozuar ndaj luhatjeve në çmimet globale të naftës.
Një analizë e Bankës së Shqipërisë tregon se rritja e çmimit të naftës përbën një goditje negative nga ana e ofertës, e cila mund të përcillet në ekonomi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë.
Banka e Shqipërisë vlerëson se intensiteti dhe kohëzgjatja e ndikimit do të varen nga kohëzgjatja e konfliktit, rikthimi i prodhimit në nivelet përpara luftës dhe qëndrueshmëria e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, duke e bërë këtë proces të kushtëzuar nga zhvillimet gjeopolitike dhe objekt të një monitorimi të vazhdueshëm.
Sipas analizës, transmetimi në inflacion ndodh përmes dy kanaleve kryesore: kanali i drejtpërdrejtë dhe me veprim të menjëhershëm reflekton rritjen e çmimeve të karburanteve për konsumatorin në transportin individual dhe kanalet e tërthorta, me veprim të ngadaltë, por më të qëndrueshëm, përfshijnë disa mekanizma ndërveprues.
Së pari, rritja e kostove për bizneset, e cila transmetohet gradualisht në çmimet e mallrave të tjera dhe të shërbimeve, duke gjeneruar presione më të gjera inflacioniste.
Së dyti, dobësimi i kërkesës agregate, në kushtet kur kërkesa për naftë është relativisht joelastike dhe rritja e çmimeve përkthehet në përkeqësim të termave të tregtisë. Së fundi, ndikimet që burojnë nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik dhe rritja e inflacionit në partnerët tregtarë.
Ndonëse në këtë fazë, vlerësimi i plotë i të gjitha kanaleve të mësipërme, me një shkallë të lartë saktësie, mbetet i vështirë për t’u realizuar, sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, mund të evidentohen dy përfundime kryesore.
Për sa i takon kahut të ndikimit, goditja pritet të prodhojë efekte të kundërta mbi inflacionin dhe rritjen ekonomike: rritja e qëndrueshme e çmimeve të naftës ushtron presion në rritje mbi inflacionin, ndërkohë që frenon aktivitetin ekonomik përmes reduktimit të fuqisë blerëse, zhvendosjes së të ardhurave drejt financimit të importeve dhe rritjes së pasigurisë.
Në aspektin kohor e sasior, një goditje e përkohshme dhe e kufizuar pritet të ketë efekte kalimtare mbi inflacionin, ndërsa një rritje e zgjatur dhe e lartë e çmimeve energjetike, e reflektuar në kostot e prodhimit dhe në pritjet inflacioniste, mund të gjenerojë presione më të qëndrueshme, me pasoja më të theksuara si për inflacionin, ashtu edhe për rritjen ekonomike, shkruan Monitor.
© SYRI.net