Duke nisur nga 1 maji, Kompania ONE Albania ka njoftuar abonentët se do të rrisë tarifat, por pa bërë asnjë përmirësim në shërbim. Më absurd mbetet fakti që ky njoftim vjen në një kohë kur qytetarët kanë pasur ankesa të vazhdueshme për problemet me këtë kompani, ndërsa një Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës ka zbuluar praktika që ngjasojnë me një oligopol të ngushtë, ku konkurrenca reale mungon dhe çmimet për shërbimet bazë janë abuzive.
Syri TV
Në mënyrë cinike, të papritur dhe pa asnjë përmirësim shërbimi, kompania ONE Albania ka njoftuar rritje të tarifave për abonentët e saj, duke nisur nga 1 maji 2026. Përmes një mesazhi dërguar nëpër telefonat e abonentëve kompania ONE lajmëron se çmimet do të rriten deri në 2.2%, bazuar në indeksin e çmimeve të konsumit të publikuar nga INSTAT. Ky mesazh përkthehet në: më shumë para për të njëjtin shërbim, pasi abonentët do të paguajnë një faturë më të shtrenjtë, por pa ndonjë shërbim të shtuar, duke qenë në interes të kompanisë e cila mbron fitimet e saj, por ia kalon koston drejtpërdrejt qytetarëve, të cilët paguajnë më shumë vit pas viti për të njëjtin shërbim.
Më absurd mbetet fakti që ky njoftim vjen në një kohë kur qytetarët kanë pasur ankesa të vazhdueshme për problemet e panumërta me shërbimin telefonik të ONE, shqetësime për cilësinë e dobët të shërbimit, mungesën e mbulimit dhe shpejtësinë reale të internetit, teksa ankesat e tyre shpesh mbeten pa përgjigje.
Prej kohësh në vendin tonë është vënë re dominimi i tregut të shërbimeve celulare nga dy gjigantët Vodafone Albania dhe One Albania. Sipas një investigimi të Autoritetit të Konkurrencës, pas tre viteve hetim, këto kompani janë vendosur nën lupën e një procedure të thelluar për praktikat e tyre në tregun me pakicë të telefonisë celulare. Hetimi i Autoritetit ka zbuluar praktika që ngjasojnë me një oligopol të ngushtë, ku konkurrenca reale mungon dhe çmimet për shërbimet bazë janë abuzive, por deri më tani asnjë nga kompanitë nuk ka reaguar.
Në këto kushte është me rëndësi transparenca dhe respektimi i parimeve të të drejtës së informimit, duke theksuar se qytetarët presin ulje të çmimeve dhe shërbim më të drejtë. Ky debat vjen në një moment kyç, ku Autoriteti i Konkurrencës po shqyrton mënyrat për të mbrojtur konsumatorët dhe për të sfiduar dominimin e dy gjigantëve në treg, sepse në këtë marrëdhënie, vetëm njëra palë fiton, që ai nuk është qytetari, por kompania.
© SYRI.net