Prodhimi bujqësor shqiptar ka pësuar një goditje të fortë e cila reflektohet në rënien e eksporteve dhe rritjen e importeve nga jashtë. Arsyeja kryesore e rënies së eksporteve lidhet me përmbytjet e mëdha të janarit si dhe nga braktisja e tokës dhe mungesa e krahut të punës për shkak të emigrimit të të rinjve nga zonat rurale.
Syri tv
Prodhimi vendas bujqësor po kalon një situatë të vështirë këtë vit që është reflektuar në rënie të fortë të eksporteve dhe rritje domethënëse të importeve në dy muajt e parë janar-shkurt.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, prodhimi i zarzavateve ka pësuar goditje të fortë, teksa importet në sasi janë rritur me rreth 23%, duke arritur në 16,157 tonë. Nga ana tjetër, eksportet në sasi kanë rënë në mënyrë drastike me afro 34%.
Siç shkruan Monitor, e njëjta tendencë negative vërehet edhe në tregtinë e frutave, ku bilanci mbetet thellësisht deficitar. Gjatë kësaj periudhe, importet e frutave u rritën me mbi 21%, duke kapërcyer shifrën e 18,400 tonëve. Në krahun tjetër, aftësia eksportuese e vendit për këtë kategori u ul me rreth 27%, duke zbritur në vetëm 3,039 ton.
Arsyeja kryesore e rënies së eksporteve lidhet me përmbytjet e mëdha të janarit që dëmtuan qindra sektorë sera dhe mbjellje në fushë, duke dëmtuar prodhimet e sezonit të dytë në prag vjelje dhe fidanishtet e sezonit të parë 2026.
Nga ana tjetër sektori bujqësor po vuan gjithnjë e më shumë nga braktisja e tokës dhe mungesa e krahut të punës për shkak të emigrimit të të rinjve nga zonat rurale. Kjo po sjell një tkurrje të sipërfaqeve të mbjella dhe ulje të prodhimit total, duke bërë që vendi të mos ketë teprica për eksport dhe të varet nga importet. Për fermerët që i shpëtuan përmbytjes totale, kostoja për të shpëtuar çfarë mbeti u rrit ndjeshëm. Nevoja për pompa uji, pesticide shtesë për të luftuar lagështinë dhe tharja e serave u rrit.
Forcimi i monedhës vendase është duke ndikuar që produktet bujqësore shqiptare të bëhen më të shtrenjta për t’u blerë nga vendet e BE-së. Në të njëjtën kohë, kjo e bën importin e produkteve të huaja më të lirë për tregun tonë, duke inkurajuar tregtarët të sjellin mallra nga jashtë, në vend që të grumbullojnë prodhimin vendas.
© SYRI.net