Një analizë e fundit e Forbes nxjerr në pah një kontrast të fortë mes pasurisë ekstreme dhe nivelit të bujarisë në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse disa nga njerëzit më të pasur në botë janë amerikanë, shumica e tyre nuk renditen mes dhuruesve më të mëdhenj në raport me pasurinë që zotërojnë. Nga 12 personat më të pasur në SHBA, vetëm gjysma janë pjesë e listës së 25 donatorëve më të mëdhenj të vendit.
Shembulli më domethënës është Elon Musk, njeriu më i pasur në Amerikë, me një pasuri të vlerësuar rreth 780 miliardë dollarë. Sipas Forbes, dhurimet e tij gjatë jetës përbëjnë vetëm rreth 0.06% të pasurisë neto. Në të njëjtën linjë janë edhe Larry Page dhe Jensen Huang, të cilët kanë dhuruar një përqindje minimale krahasuar me pasurinë e tyre totale.
Në anën tjetër të spektrit qëndron Warren Buffett, i cili përbën përjashtimin më të qartë. Me mbi 68 miliardë dollarë të dhuruara, ai ka ndarë rreth 32% të pasurisë së tij për qëllime bamirësie, duke u bërë një nga filantropët më të mëdhenj në histori. Edhe figura të tjera si Bill Gates (i cili nuk figuron në listën e 12 më të pasurve aktualisht) kanë treguar se bujaria nuk është domosdoshmërisht e lidhur me madhësinë e pasurisë.
Forbes thekson se shifrat mund të mos pasqyrojnë plotësisht realitetin, pasi disa miliarderë përdorin fonde bamirësie të tipit donor-advised funds, ku dhurimet nuk bëhen gjithmonë publike. Megjithatë, edhe duke marrë parasysh këtë faktor, hendeku mes pasurisë dhe dhurimit mbetet i madh.
Kjo analizë ngre sërish një debat të vjetër: a vjen me pasurinë ekstreme edhe një përgjegjësi morale më e madhe? Ndërsa disa miliarderë zgjedhin të japin një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tyre për shoqërinë, shumica ende kontribuojnë shumë pak në raport me atë që zotërojnë.
© SYRI.net