SYRI TV/ Stok prodhimesh në Orman të Maliqit, fermerët të zhgënjyer e pa mbështetje nga shteti

13:47, 07/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

SYRI TV

Në Orman të Maliqit, fermerët po përballen me mbetjen e stok të prodhimeve bujqësore , pasi produktet e importuara kanë pushtuar tregun  vendas dhe prodhimi vendas nuk po shitet. Të zhgënjyer nga mungesa e mbështetjes shtetërore, ata paralajmërojnë se edhe këtë vit prodhimi rrezikon të përfundojë i hedhur.

Në Orman të Maliqit prodhimet bujqësore po mbeten stok në magazinat e fermerëve duke e kthyer mundin e një viti në pasiguri ekonomike. Dëfrim Kreka është një nga fermerët potencialë të zonës, i cili ka kultivuar patate, misër dhe fasule. Por sot, prodhimi i tij nuk po arrin të dalë në treg. Produktet kanë mbetur të pa shitura, ndërsa kostot e punës dhe investimet po rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi familjet e fermerëve.

Sipas fermerëve, tregu vendas është pushtuar nga produktet e importuara, të cilat shiten me çmime më të ulëta dhe pa kontroll duke nxjerrë jashtë loje prodhimin vendas dhe duke mbushur magazinat e fshatit.

Situata është e njëjtë edhe për fermerët e tjerë të Ormanit, të cilët akuzojnë institucionet shtetërore për mungesë mbështetjeje dhe politika të gabuara në sektorin e bujqësisë.  Ata shprehen se nuk kanë përfituar asnjë ndihmë konkrete, ndërsa importet sipas tyre janë lejuar pa as një kriter mbrojtës për prodhimin vendas.

Fermerët ngrenë shqetësimin se fondet e Bashkimit Europian  për bujqësinë nuk kanë shkuar tek ata që punojnë tokën, por kanë përfunduar në duart e pak personave të fuqishëm ekonomikisht.

Të zhgënjyer  dhe pa zgjidhje, fermerët paralajmërojnë se edhe këtë vit prodhimi rrezikon të mos shitet dhe si në vitet e mëparshme të përfundojë i hedhur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco