Konfirmohet skandali me eksportet/ Rritje imagjinare me mallrat tranzit drejt Kosovës

Konfirmohet skandali me eksportet/ Rritje imagjinare me mallrat tranzit drejt Kosovës

20:04, 19/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Para disa javësh, kreu i opozitës, Sali Berisha, denoncoi se shifrat e eksporteve po fryhen artificialisht duke llogaritur si eksporte edhe mallrat që kalojnë tranzit drejt Kosovës. Revista Monitor konfirmon se rritja e eksporteve është imagjinare

Eksportet shqiptare këtë vit janë përfshirë në një rritje imagjinare në letra, për shkak të përfshirjes në llogaritje të mallrave që kalojnë nga Shqipëria tranzit drejt Kosovës.

Në janar- gusht 2025 vlera zyrtare e eksporteve shënoi 264,7 miliardë lekë me rritje 3,5 % raporton INSTAT, duke referuar se grupi që ka ndikuar më së shumti rritjen e eksporteve janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +10,0 pikë përqindje.

Rritja e eksporteve është ndikuar nga Kosova, shitjet drejt të cilës u rritën me 75.5% në tetë-mujor, dhe gati dyfish për gushtin (+94.6%) e ndikuar kryesisht nga grupi “mineralet, lëndët djegëse e energjia”. 

Nga 9,9 miliardë që janë rritur eksportet në total në vlerë, shitjet e Kosovës janë zgjeruar me 20.1 miliardë lekë, për 8 mujorin, duke amortizuar rënien e eksporteve drejt shteteve të tjera, kryesisht drejt Italisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Eksportet drejt Kosovës zunë 17.8% të totalit në 8 mujorin 2025, nga rreth  10% të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u renditur e dyta pas Italisë (38.8%).

Por, rritja e fortë e eksporteve me Kosovën ka të bëjë me faktin se që nga 1 janari 2025 tranzitet e karburantit drejt Kosovës raportohen edhe si ri-eksporte, duke ndikuar në zgjerimin e fortë të eksporteve në vlerë. Eksportet reale drejt Kosovës kanë një tendencë rritje normale prej 510%, sipas infove nga Dogana.

Duke hequr efektin e ndryshimit të metodologjisë, që nuk janë eksportet reale drejt Kosovës, por tranzit i produkteve përmes Shqipërisë, tendenca reale e eksporteve në total, vijon me rënie, me rreth 8- 9 miliardë lekë ose minimumi -3%.

Monitor mësoi se doganat dhe INSTAT janë duke punuar për saktësimin e kodeve dhe ecuria e saktë e eksporteve do të mësohet në vijim.

Lëndët djegëse, energjia e mineralet, rritja nga Kosova“Minerale, lëndë djegëse e energji” është grupi me rritjen më të madhe në 8- muajt e parë e këtij viti. Për janar-gusht, eksportet arritën në gati 75 miliardë lekë, me një rritje prej 51% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur efektin kryesor e kishin shitjet e Bankers Petroleum në Spanjë, ose energjia, ndikimin kryesor në këtë tendencë e ka dhënë Kosova, që ka pasur një zgjerim të fortë të shitjeve të grupmallit “Lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre”, që siç u shpjegua më lart ka të bëjë me riklasifikimin e eksporteve drejt shtetit fqinj./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco